Kreu i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu është shprehur kundër dhënies me koncesion të Rrugës së “Kombit”.
“Dhënia e rrugës me koncesion përbën kosto shtesë për bizneset dhe qytetarët. Gjithashtu, pagesa për rrugën frenon ardhjen e turistëve kosovarë në Shqipëri”, ka deklaruar Shehu.
Shehu u ka bërë apel dy kryeministrave, atij shqiptar Edi Rama dhe atij kosovar, Isa Mustafa që të rishohin vendimin për dhënien me koncesion të kësaj rruge.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) ka shpallur sot fituesit e koncesionit për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë që lidh Durrësin me Prishtinën, rreth 60 km.
Për koncesionin e kësaj rruge janë paraqitur sot në MTI, oferta nga dy grupe kompanish të interesuara: “JV Catalyst”, “Violap SA.”, “Salillari”, “Kastrati”, “BeeTech” dhe “JV Vendeka Bilgi”, “PT Citra”, “MAU INSAAT”, “Savronik Sistem”, “Vendeka Europian Investment”, “EKMA”.
Ky koncesion është 30-vjeçar dhe parashikohet vendosja e një pagese prej rreth 5 euro për çdo automjet që kalon në 60 kilometrat e segmentit Milot-Morinë.
Sipas MTI, kostoja e mirëmbajtjes e kësaj rruge është minimalisht 8 milionë euro në vit dhe dhënia me koncesion është formula më e mirë që këto para të mos rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve.
Koncesionarit i është garantuar subvencioni deri në 4 mijë automjete në ditë në të dyja drejtimet, çka do të thotë se në qoftë se nuk sigurohet ky trafik, paratë për pjesën e mbetur do të paguhen nga buxheti i shtetit.
Për vitin e parë, shuma e garantuar është rreth 8 milionë euro dhe vazhdon me progresion rritës çdo vit deri në 14 milionë euro.
Nga ana tjetër përveç investimit, koncesionari duhet të ndajë fitimin me shtetin për taksën e kalimit nëse kemi rritje të trafikut ditor mbi kuotat e parashikuara.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, duke shqyrtuar ofertat, ka vendosur që fitues i këtij koncesioni të jetë bashkimi i kompanive: “Kastrati”, “JV Catalyst”, “Violap SA.”, “Salillari”dhe “BeeTech.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha se, tarifa për Rrugën e “Kombit” do të jetë pesë (5) euro. Haxhinasto tha se, tarifa për këtë rrugë është dashur të aplikohej më herët, por për arsye të ndryshimeve ligjore, ajo do të fillojë vetëm nga ky vit.
“Në fakt, kjo është përpjekja e dytë për ta dhënë Rrugën e “Kombit” me koncesion. Arsyeja pse e kemi shtyrë është sepse ka pasur nevojë për disa ndryshime ligjore të rëndësishme, pasi një procedurë e tillë, në formën që ishte ligji për koncesionet, ishte e pamundur të bëhej, por më 23 mars ne do kemi hapjen e ofertave të kompanive për këtë rrugë. Gjithçka që do fitohet do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë, për t’i risjellë ato me standarde më të larta, me qëllim që t’u ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë. Është folur për një tarifë rreth 5 euro për këtë rrugë, dhe besoj se tarifa që kemi vendosur për këtë segment është nën mesataren e rajonit”, tha Haxhinasto në një intervistë për “Kosovapress”.
Në këtë intervistë, Haxhinasto foli edhe për Portin e Shëngjinit dhe për zërat se ky port do t’u jepet me koncesion investitorëve nga Kosova. Por Haxhinasto tha se deri më tani, interesim për këtë port ka pasur vetëm nga investitorë kinezë, e jo nga ata kosovarë. Haxhinasto foli edhe për nevojën e një lidhjeje hekurudhore me Kosovën, në kuadër të një projekti rajonal.