Kryeçensorit të Republikës…

Nga Albert AVDULI

Unë e dua qeverinë. Këtë doja të thoja më së pari.

I nderçmi Kryeçensor, sot dukeni rilindas prej vërteti. “Ngjasoni” me Naim Frashërin në detyrën e re. Sikurse ju, ai ishte çensorë ì perandorisë otomane.

Ndryshimi qëndron se ai paguhej si ì tillë e në fakt ì pari e thyente ndalimin, duke botuar shkrime e thirrje në dobi të vëndit të tij. Vjershat e tij, siç ì dini, ishin kundër qeverisë, kalifit, të ndriçmit Sulltan e ndonjëherë kundër perëndisë e ligjeve të natyrës. Sa për kujtesë, Naimi, ju drejtua Diellit, që të lindte nga perëndimi.S’do ndal te kjo ngjashmëri se ju nuk do t’më besonit.

Zotnia juaj, po drejtohem kështu sepse e do drejtshkrimi. Etika, simbas jush, do donte që të shkruaja: Shoku juaj, por humbet respekti dhe rendi ku ndodhemi. . .Mënyrë e tillë drejtimi s’ka as frymë, formë dhe lëndë.

Zotnia Juaj!

Ndjesë që nuk ju kam dashur.

Deri dje kam menduar gabim sepse isha një ditë më ì ri dhe naiv.

Ndoshta kam qenë ì ndikuar nga kazanët e opozitës.

Për të qenë ì sinqertë deri në fund me ju, pohoj se kam rënë preh edhe nga detaje të tjera, që po rendis më poshtë.

Brenga e pensionistëve psh (më shpon si juve, që ju turjelon fjala), kur pagesa nuk ju mjafton për ilaçe e jo më të ushqehen.

Ankesa e vazhdueshme e atyre që ndjejnë peshën e taksave, tarifave, çmimeve.

Dhimbja e nënave që ju ikin fëmijët nëpër botë duke kërkuar azil politik dhe ekonomik.

Pritja penelopjane për rritjen e pagave të mësuesve.

Ligji arsimit të lartë, kushtet dhe tarifat e studentëve.

Mizerja në shërbimin mjekësor( jo stafit), largimi mjekëve dhe infermierëve.

Ndotja e ajrit, zaptimi ì çdo hapësire publike në qytet, trafiku vrasës, çmimi tmerrues ì karburanteve.

Heshtja tingëlluese e nëpunësve të administratës, që kanë pagat më të ulta në rajon.

Rritja e pandjeshme ekonomike që ndihet deri në asht.

Konçesionet grabitqare dhe përcjellja e ekonomisë kombëtare në duar miqsh.

Droga si fenomen shkatërrues dhe heshtja për tregun e saj.

Abuzimi me fondet publike, gjithashtu. Mirëpo shuma e detajeve përbëjnë të tërën.

Këto dhe thashetheme të tjera ndikonin në pakënaqësinë time.

Si qytetar ì devotshëm ì Republikës tuaj, unë e shkunda gjykimin tim dhe kuptova se isha futur në rrugë qorre.

Nga sot, solemnisht pohoj se vij në drejtimin e duhur. . .

Mora timonin e arsyes në dorë dhe pohoj pa m’u dridhur qerpiku e tërmeti . . .

E di se qeveria drobitet për të lulëzuar jetën e çdo shqiptari.

Ajo nuk fle, por edhe kur dremit pak, për popullin mendon.

Metamorfoza ime, nuk ngjason me ” Metamorfoza” e Franc Kafkës. Me të vërtetë dje isha në këmbë e sot ndihem zvarranik ì jargavitur, por realiteti sot duket më ì bukur nga 10 orë më parë.

Kuptohet, po shkruaj me tastierë, jo me mëndje dhe shpirt. Ndaj fjalët kërcasin të akullta.
Ju, ì fortlëvduar, Çensor ì Republikës nuk mund t’i quani të rreme, deklarimet e mija.
Konfidencialisht po ju shkruaj se është hera e parë që nuk shpif. Në gjëndje zemërhapur desha t’ju kujtoj se qeveritë nuk janë vdekja, që fatalisht, pritet me nënshtrim, për të ndodhur. Monarku nuk është një e dhënë e pandryshueshme. Historia ka shembuj ku ai ka shkuar në gijotinë. Qeveritë durohen deri një ditë, pastaj shkallmohen. Ka ndodhur dhe në Shqipëri.

Pavarësisht reflekimit tim, e sigurt mbetet, dy institucione nuk trokasin kurrë për mirë në derën apo çatinë e qytetarit, qeveria dhe tërmeti.

Ndihem ì lehtësuar, sikurse çdo e vërtetë ta krijon atë ndjesi.

Sinqerisht do hesht o të nderçmit Rjepës të Republikës.

Artikulli paraprakAmbasadori austriak kundër Ramës për projektligjin e censurës në media
Artikulli tjetërHyn në fuqi taksa e re, do të paguhet në faturën e ujit për nëntorin