Kryediplomati injorant!

Enver Bytyçi

Sot në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi (alias Edvin) Rama paska propozuar që për të ulur shpenzimet të bashkohen përfaqësitë diplomatike të të dy vendeve kudo që ato operojnë në shtete të ndryshme të botës. Një propozim i tillë më le të kuptoj se, Shqipëria ka një kryeministër idiot dhe injorant në punët e diplomacisë. Unë vetë nuk kam pasur ndonjëherë dyshim në këtë besim, sepse diplomacinë shqiptare prej dy vitesh e shoh në kolaps, si diplomaci karficash dhe të kapur plotësisht, si asnjëherë tjetër nga politika.
Nuk më intereson gjithashtu se kush ia ka dhënë atij këtë mendim, më intereson fakti i trishtueshëm që ne kemi një kryeministër mediokër në politikën e jashtme. Batutat që bën ai në takime, konferenca shtypi e gjithandej me të huajt vetëm se i japin formalisht statusin e të zgjuarit. Por, ai ka dëshmuar gjithnjë se në diplomaci është vërtet një injorant e mediokër i pa krahasueshëm me asnjë kryeministër shqiptar që nga shpallja e pavarësisë. As Adil Çarçani nuk ka qenë kurrësesi në nivelin e Edi Ramës sa i përket sjelljes diplomatike. Por ky propozim nuk vjen vetëm nga injoranca.
Ka dhe një prapavijë tjetër. Edi Rama synon të bëhet pronar i diplomacisë së të dy vendeve. Pasi shtiu në dorë dhe paralizoi diplomacinë e shtetit shqiptar, tani ai kërkon të shtrijë dorën deri te politika e jashtme dhe diplomacia e shtetit të Kosovës. Unë e shoh këtë propozim si një hap më tej në drejtimin që ka marrë kryeministri shqiptar, për ta përfaqësuar Kosovën në marrëdhëniet me Serbinë. Në kushtet e sotme nuk ka propozim më të keq dhe më dëmprurës për shtetin e ri të Kosovës dhe për shqiptarët, sesa unifikimi i ambasadave të të dy vendeve. Unifikimi i ambasadave do të thotë që njëri nga këto dy vende, Shqipëria ose Kosova, por në rastin konkret Kosova, të mbetet e papërfaqësuar nga pikëpamja diplomatike.
Kjo do të thotë dobësim i rolit të saj në botë dhe ngadalësim ose edhe ndalje të procesit të integrimeve të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Problemi më i madh i Kosovës është pranimi i saj prej shteteve që ende nuk e kanë njohur dhe njohja përfundimtare e shtetësisë nga OKB, Këshilli i Europës, të gjitha vendet e BE-së si dhe NATO-s. Nëse ndodh ajo që Edi Rama propozon, është e sigurt se ky mision vështirësohet, në mos do të bëhej i pamundur. Kjo do të ndodhte edhe për një arsye tjetër: Diplomacia shqiptare e rilindjes dhe rilindasve i ka ulë në minimum përpjekjet e saj për realizimin e këtij misioni të madh të shtetit të Kosovës.
Nëse diplomacia e Prishtinës do të përfaqësohej nga diplomatët e Shqipërisë, shumica prej tyre do të dështonin, pasi që këta diplomatë punojnë më së shumti për të realizuar politikat e ditës të shefave të tyre, sesa për interesat kombëtare. Fakti që këta diplomatë emërohen dhe paguhen nga shteti shqiptar i obligon ata të përkushtohen thjesht për interesat e punëdhënësit.
Sigurisht që ka përjashtime edhe në mesin e diplomatëve të sotëm, ku mund të gjesh disa që përkushtohen për çështjen kombëtare, pa patur nevojë të unifikohen ambasadat e të dy vendeve. Por këta janë shumë pak dhe janë pakësuar ende më shumë pas të ashtuquajturës “reformë në politikën e jashtme”, e cila ka nxjerrë jashtë sistemit diplomatët më të aftë e më të përkushtuar në këtë drejtim, si Shpëtim Çaushi, Mal Berisha, Kujtim Xhani, Bashkim Zeneli etj.
Propozimi i kryeministrit tonë injorant në diplomaci është pa asnjë dyshim një përpjekje e re e tij për t’u shpallur si lider i shqiptarëve dhe i Ballkanit, por gjithnjë me prirjen që të kënaqë interesat dhe ambicjet e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Unë jam i sigurt se, Edi Rama ndjehet shumë më mirë në shoqërinë ë Vuçiçit, sesa të Isa Mustafës e madje edhe të Hashim Thaçit. Por që ai të bëjë propozime që shkojnë në favor të Serbisë e për pasojë që dëmtojnë interesat e shtetit të Kosovës, kjo nuk pritej as që shkonte në parashikimet e mia. “Sa të jesh do të mësosh”, thuhet tek ne.
Mësova sot diçka të paimagjinueshme. Në vend që të nënshkruhej marrëveshja e unifikimit të doganave, propozohet unifikimi i ambasadave, një precedent që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por sa i përket doganave, lexova se në një marrëveshje do të shtohet e ndërtohet dhe një doganë e re, çka do të thotë se në planet e ardhshme të të dy qeverive nuk është në rend dite unifikimi dhe lëvizja e lirë e mallrave pa dogana midis dy shteteve.
Në vend të doganave, kryeministri ynë dëshiron të unifikojë ambasadat?! Le të rrijmë me shpresë se qeveria e Kosovës nuk është kaq injorante sa të merret e mos e thëntë Zoti të pranojë një propozim të tillë idiot! Ndryshe rrezikohet ekzistenca e shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj, rrezikohet legjitimiteti i këtij shteti dhe përfaqësimit të tij në politikën e jashtme e në diplomaci, shkurt zhvleftësohen të gjitha investimet e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Exit mobile version