Kryediplomatja evropiane tur në Ballkanin Perëndimorë! Kaja Kallas do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do ta vizitojë Kosovën më 22 maj, në kuadër të një turneu që do ta nisë më 21 maj në Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur Shërbimi Diplomatik i BE-së.

Kaja Kallas.Kallas do të udhëtojë edhe në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut gjatë vizitës së saj të dytë në rajon, ka njoftuar Brukseli, të

mërkurën.
“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, thuhet në një njoftim të BE-së.

Shefja e diplomacisë evropiane ka planifikuar të mbajë edhe një konferencë për media, më 22 maj.

Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë.

BE-ja, në anën tjetër, ka kërkuar shtensionim situate në Kosovë, teksa Kosova po vazhdon me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, gjë që ka nxitur reagimin e Brukselit.

Në Prishtinë, Kallas pritet të vizitojë edhe Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe komandantin e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, Enrico Barduani.

Vizita e Kallasit në Prishtinë këtë javë ishte paralajmëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se për shkak të vizitës së saj të planifikuar zyrtare në Zvicër nuk do të mund ta priste kryediplomaten evropiane në Kosovë.

Para vizitës në Kosovë, Kallas do të qëndrojë në Serbi. BE-ja ka njoftuar se Kallas do ta takojë në Beograd presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq, atë për Integrime Evropiane, Nemanja Staroviq, dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe grupet parlamentare opozitare.

Ndërkaq, kryediplomatja evropiane në Shkup do ta takojë kryeministrin Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur Brukseli.

Në kryeqendrën maqedonase, Kallas “do ta hapë Dialogun e parë për Siguri dhe Mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski”, ka njoftuar Shërbimi Diplomatik i BE-së./REL/

Exit mobile version