Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, paralajmëroi të tjera tryeza të opozitës së bashkuar kundër krimit për t’i bërë ballë siç tha ajo rrezikut që i kanoset demokracisë nga krimi dhe bandat të lidhura me shtetin.
Kryemadhi tha se në krye të narkoshtetit është Edi Rama dhe kjo është këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë.
“Narkoshteti përfaqësohet dhe drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të gjitha partitë që morën pjesë ishin shumë të shqetësuara për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, rreziku që i kanoset demokracisë shqiptare, që çdo ditë e më shumë po dobësohet dhe po del jashtë kornizave të saj, inkriminimi i çdo strukture shtetërore, i policisë, i shtetit, i zyrave të shtetit, inkriminimi i besueshmërisë. Njerëzit kanë filluar të mos besojnë më dhe kërkojnë zgjidhjen tek bandat dhe jo tek policia e tek shteti. Kjo është këmbanë e fortë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Dua të theksoj se kjo ishte tryeza e parë do të vazhdojmë me të tjera; e rëndësishme është të konvertojmë në një pikë, kapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe më në fund jemi bashkë në një pikë të përbashkët”.
E pyetur nëse opozita do të largojë Ramën përmes protestave, ajo u përgjigj:
“Sa për protestat, ato nuk vijnë nga partitë politike, por nga populli, vijnë nga përbrenda. Është momenti që së bashku të gjithë të veprojmë, se jemi në fund të tranzicionit politik. Jemi një nga vendet e fundit ish-komuniste që po kalojmë tranzicionin politik. Ka ardhur momenti të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.