Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka pranuar mbrëmjen e sotme se opozita disponon disa CD me përgjime në të cilat janë edhe ministrat e qeverisë Rama.
E ftuar në studion e emsionit “5 pyetjet nga Babaramo”, ajo u shpreh se kjo është e vërtetë, por nuk është e autorizuar për të treguar se për kë bëhet fjalë.
Pjesë nga biseda:
Babaramo: Opozita ka regjistrime të ministrave të qeverisë, të cilat u janë vënë në dispozicion nga partnerët ndërkombëtarë. Ju i keni parë këto dëshmi?
Kryemadhi: Po.
Babaramo: A mund të thoni se për kë bëhet fjalë?
Kryemadhi: Jo. Nuk jam e autorizuar për këtë.
Babaramo: Pse nuk i bëni publike?
Kryemadhi: Sepse kjo është detyrë e Prokurorisë dhe drejtësisë në vend. Kjo është një provë tashmë për kryeprokuroren Arta Marku.
Këto dokumente janë në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme. Po shohim deri ku do të shkojë përdorimi i saj nga Edi Rama.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, teksa komentoi situatën aktuale në vend, u ndal edhe tek proteta e banorëve të “Astirit”.
Sipas saj, “Projekti i Unazës së Re është në vlerë totale 100 milionë euro”.
Kryemadhi u shpreh se “opozita nuk është e angazhuar në protestë, pasi ajo është e banorëve. Ne mbështesim banorët”.
Ndërsa u ndal tek aksionet e opozitës, kryetarja e LSI-së u shpreh se janë 3 hapa që duhen ndërmarrë menjëherë. Sipas kryemadhit, aksionet e opozitës janë: Vettingu në politikë, vettingu i koncesioneve dhe analiza e buxhetit.
Më tej teksa u ndal tek prezenca e deputetëve të LSI-së në protestën e banorëve të Unazës së Re, tha se është detyrë e tyre, pasi LSI ka marrë vota në atë zonë.
Kryetarja e LSI-së tha më tej se ky projekt është një vepër e madhe korruptive me një buxhet të fryrë dhe në mungesë transparence. Ajo tha se ky projekt është nisur që në qershor të vitit 2017, por nuk u lajmëruan banorët. Për këtë Kryemadhi u theksoi se ka detyrim moral që t’i shpërblejë.