Kryemadhi-Hahn: Luftë krimit dhe drogës qeveritare

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Takimi u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit ku të pranishëm ishin dhe ambasadorja e BE, znj. Vlahutin, si dhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Kryemadhi i shprehu falënderimet Bashkimit Europian për mbështetjen e Shqipërisë në ecurinë e procesit të integrimit europian, si dhe për asistencën financiare ndër vite për reformat integruese. Në mënyrë të veçantë kryetarja e LSI ka vlerësuar investimin e partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe SHBA për reformën në drejtësi, por ka denoncuar bllokimin nga ana e mazhorancës aktuale të ngritjes së strukturave të Vettingut, të cilat janë shtylla kryesore të reformës.
Kryemadhi i parashtroi komisionerit faktet për situatën e rënduar politike, ekonomike dhe sociale, ku theksi është vendosur te influenca direkte e krimit të organizuar në zgjedhjet e 25 qershorit, si dhe aktualisht në instancat shtetërore apo në qeverisje. Kryetarja e LSI kërkoi nga Bashkimi Europian hapjen sa më të shpejtë të negociatave, si garanci për të luftuar bashkërisht krimin, drogën dhe korrupsionin qeveritar, për të rikthyer stabilitetin, ringritjen e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Znj. Kryemadhi ndër të tjera theksoi nevojën për një rol më aktiv, denoncues dhe paralajmërues ndaj qeverisë nga Bashkimi Europian, ku në këtë situatë ku është Shqipëria është vendimtare jo për fatin politik të opozitës, por për fatin e vendit dhe shqiptarëve.

Artikulli paraprakBylykbashi: Me Reformën Zgjedhore fund shitblerjes së votës
Artikulli tjetërEkonomia në greminë, stoku i borxhit do shtohet me 246 mln euro më 2018-n