Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka pritur në një takim në selinë e LSI-së Raporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly.
Gjatë këtij takimi, Kryetarja e LSI-së nënvizoi se situata kriminale në vend është alarmante dhe se Shqipëria ndodhet aktualisht në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj. “Mazhoranca dhe Kryeministri kanë kapur Reformën në Drejtësi duke shkatërruar thelbin dhe qëllimin e Reformës të miratuar me konsensusin historik të 21 – 22 korrikut.
Ajo ka vlerësuar gjatë takimit se, “Opozita do të vazhdojë betejën e saj për rivendosjen e shtetit ligjor për të luftuar pa asnjë kompromis krimin e organizuar dhe trafiqet dhe praktikisht këtë do ta bëjë duke filluar nga Parlamenti Shqiptar dhe çdo qytet dhe fshat të vendit”.
Kryetarja e LSI-së tërhoqi vëmendjen gjithashtu, për nevojën e adresimit të këtyre problematikave të rënda nga Këshilli i Europës, si një institucion kyç evropian që e ka monitoruar dhe e ka ndihmuar Shqipërinë gjatë këtyre 27 vjetëve të pluralizmit shqiptar. Ajo nënvizoi gjithashtu se ky mision faktmbledhës zhvillohet pikërisht në momentin e duhur dhe falënderoi Raporterët pikërisht për këtë.