Kryemadhi kërkon ndjesë: E meritova gazin helmues se e bëmë Ramën Kryeministër në 2013

Monika Kryemadhi ka kërkuar ndjesë publike në emër të LSI për koalicionin me Ramën në vitin 2013 që e bëri atë Kryeministër. “Koha provoi se ishte gabim, ndaj them se e meritova gazin helmues në protestë për shkak të gabimit që bëmë në 2013 kur e bëmë Ramën, Kryeministër.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në “360 Gradë”, në Ora News, komentoi vendimin e opozitës për djegien e mandateve, duke e quajtur këtë vendim si rrugën e vetme demokratike që i ka mbetur opozitës.
“Vendimi erdhi si rezultat i gjithë agjendës opozitare ku për hir të së vërtetës, opozita e bashkuar konsumoi të gjitha mjetet apo lëvizjet e saj me mazhorancën ku për hir të së vërtetës, arroganca apo euforia apo kapja e institucioneve, arriti kulmin. Kam renditur disa problematika që na janë bërë si mirëmëngjes dhe mirëmbrëma. Ajo që sot mund të duket radikale, nuk është e tillë. Është i vetmi element demokratik që i ka mbetur opozitës”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi u pyet se pse u mbyll protesta pasditen e së shtunës.
“Nuk ishte sinjal. Ishte agjendë shumë e qartë e opozitës. Mos të harrojmë që pjesëmarrja e protestuesve ishte e jashtëzakonshme. Mbi 20 herë janë hedhur lëndë helmuese ushtarake. Kjo gjë ndodhi në mënyrë permanente. Qëllimin protesta e arriti. E para, tregoi se shumica e shqiptarëve janë kundër Edi Ramës, jo se janë me Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhit. Janë kundër Edi Ramës, kundër çmimeve të energjisë elektrike. Shqiptarët kanë të njëjtën rrogë sot por paguajnë më shtrenjtë. Opozita po të donte, brenda 10 minutave e merrte godinën e Kryeministrisë dhe ia hidhte surratit Edi Ramës”, u shpreh Kryemadhi.

Artikulli paraprakSulmi me armë helmuese ndaj protestuesve, Avokati i Popullit nis hetimin
Artikulli tjetërPresidenti i Interit: Icardi nuk ka për ta veshur kurrë atë fanellë