Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat e kësaj force politike në Dibër, theksoi se shteti është kapur nga krimi. Ajo tha se varfëria sa vjen e rritet dhe e gjitha kjo për shkak se Kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë aleancë me krimin dhe jo me qytetarët. “Zgjedhjet e 2016-ës ishin një shembull shumë i shëmtuar që i hapi rrugën masterplanit të madh të vjedhjes së votës, në mënyrën më të tmerrshme, por edhe të shitblerjes së saj, të kërcënimit të votuesve apo përdorimit të strukturës së shtetit dhe të parave të krimit. U këmbyen votat e qytetarëve me parcelat e hashashit që mbaheshin dhe ruheshin nga kryepleqtë. U këmbyen votat e qytetarëve me paratë e drogës, u këmbyen votat e qytetarëve me vendet e punës dhe me kërcënimet për vendet e punës. Edhe pse Edi Rama dhe narkoshteti i tij e bënë këtë skemë, unë dua të falënderoj shumë strukturat e LSI-së së Dibrës, pasi në qytete ne patëm dyfishim të rezultatit. Dhe kjo erdhi pas punës së jashtëzakonshme që bënë strukturat. E them këtë, sepse Qarku i Dibrës ishte një nga qarqet më të dhunshme dhe të deformimit të votës që ka pasur ndonjëherë. Edhe në qarqet e tjera, por në Dibër kjo ka qenë më prezente. Ky falënderim sinqerisht vjen nga zemra, sepse votat e LSI-së në këtë qark, kanë qenë vota heronjsh, nuk janë as vota partie, as vota interesi, por janë vota bindjeje, vota zemre dhe vota shprese. Janë vota shprese, sepse njerëzit shpresojnë dhe besojnë që ne duhet të jemi një vend, i cili duhet të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Prej 27 vitesh jemi një vend në tranzicion dhe kjo për shkak të klasës politike, për shkak të konfliktit politik, për shkak të korrupsionit, për shkak të krimit të organizuar, për shkak të kapjes së shtetit nga mafia, nga bandat dhe nga kriminelët”, tha Kryemadhi. Nga ana tjetër, ajo tha se ekonomia në Shqipëri po vjen çdo ditë e më shumë, duke u përkeqësuar, duke polarizuar problemet sociale dhe duke varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Besoj se pjesa më e madhe e juaja e dini mjaft mirë, që pensionet nuk janë rritur, pagat nuk janë rritur dhe mundësia për të blerë ushqimin është shumë e vështirë. Pra, inflacioni është rritur dhe ajo çfarë ka ndodhur është që situata sa vjen e përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Banka Botërore sapo konfirmoi se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket bërjes së biznesit, pra Doing Bussines, ku vihet re një përkeqësim të renditjes së Shqipërisë në këtë analizë, duke u pozicionuar 7 vende më poshtë. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që taksat e larta dhe korrupsioni qeveritar po e përkeqëson klimën e biznesit. Pra, investitorët e huaj nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend potencial për të ardhur dhe për të investuar këtu. Duke pasur parasysh që fqinjët tanë, Maqedonia është në vendin e 11-të, Kosova në vendin e 40-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 65-të. Pra, investitorët e huaj e shikojnë Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës, çka do të thotë se vendi ynë çdo ditë e më shumë do të varfërohet dhe përkeqësohet. Shqiptarët çdo ditë e më shumë do të jenë të varfër dhe besoj se ju e dini më mirë se unë se sa më i varfër të jesh, sa më i pashkolluar të jesh, aq më e lehtë është për të qenë viktimë apo peng i krimit dhe i bandave. Sepse nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të bëhen argatë në fushat e kanabisit. Nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të ngrenë plaçkat dhe të emigrojnë, duke e shpopulluar këtë vend”, tha Kryemadhi. Ajo tha se çdo ditë dhe më shumë qytetarët ndërgjegjësohen, edhe pse terrori kriminal është prezent kudo në zyrat e shtetit, në zyrat e Policisë, në rrugë dhe kudo. “Unë them se kjo gjë do të marrë fund, sepse këto janë edhe përpëlitjet e fundit të mostrës kriminale që ne vetë kemi instaluar, diku me votën tonë, diku duke mbyllur sytë, diku edhe duke mbyllur gojën. Prandaj, mendoj që sot më shumë se kurrë është momenti që të gjithë të zgjohemi, të sensibilizohemi, zërin tonë ta çojmë kudo, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, në çdo derë për t’i zgjuar shqiptarët dhe për t’i trimëruar ata, sepse shqiptarët janë shumë më shumë në numër sesa disa banditë që kanë uzurpuar kupolën e shtetit. Unë ju falënderoj shumë. Ju jam mirënjohëse në përulje për gjithë angazhimin tuaj, për gjithë forcën dhe besimin që ju i keni dhënë, jo vetëm Lëvizjes Socialiste për Integrim, por të gjithë atij brezi që po kontribuon për ta ndryshuar realitetin këtu”, tha Kryemadhi.
Kryesore
Continue to the categoryPortreti i vërtetë i Lulzim Bashës, Lideri për parime, jo për...
Në një kohë kur skena politike shqiptare është e mbushur me ndarje, krijime partish të reja dhe aleanca të përkohshme, Lulzim Basha qëndron si...