Kryemadhi: Kryeministri i babëzitur i urren të varfërit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka theksuar se vendi është varfëruar në ekstrem, ndërsa kryeministri vijon të pasurojë e të ndajë lekët me oligarkët. Më tej në fjalën e saj, Kryemadhi tha se amendamentet dhe propozimet e LSI-së i janë dërguar qeverisë dhe ato do e zbusnin problemin brenda një periudhe të shkurtër.Unë sot nuk do të flas as për drogën dhe as për krimin, jo sepse nuk është një hall i madh ekzistencial për shqiptarët, por sepse kam folur shumë për të denoncuar rrezikun e madh që i kanoset vendit, stabilitetit dhe sigurisë sonë kombëtare. Sot, kam zgjedhur të flas për hallin kryesor me të cilën zgjohen dhe ngrysen familjet shqiptare, për varfërinë dhe papunësinë që ka pllakosur kudo.
“Bota është e bollshme për nevojat e njerëzimit, por jo për babëzinë e tij”. Kjo shprehje në fakt është më aktuale se kurrë për këtë Kryeministër të “babëzitur”, i cili nuk do të kuptojë se progresi i një shoqërie nuk matet sesa fiton një grusht individësh, por se sa shumë qytetarë të varfër dalin nga gracka e varfërisë.

Ky zotëri që urren të varfërit, së fundmi me një të rënë të lapsit ka nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike, “lëmoshës ekonomike” mbi 20 mijë familje të varfëra shqiptare. Madje për disa raste flagrante thotë e “ka fajin sistemi”, se tashmë nuk ka më kujt t’ia lërë fajin dhe ja lë teknologjisë. Varfëria mbi të gjitha është mungesa e parasë për të mbijetuar me dinjitet dhe integritet dhe për të plotësuar nevojat më bazike.
Nuk ka asgjë më të kushtueshme për një shoqëri sesa varfëria e qytetarëve të saj, sepse ajo mbjell injorancë, kriminalitet dhe prapambetje! Por mbi të gjitha sa më të varfërtë jenë shqiptarët, aq më kollaj blihen në zgjedhjet e ardhshme, që janë duke trokitur. Shqiptarët akoma e kujtojnë sa brutalisht u rrëzua një regjim diktatorial komunist, jo vetëm sepse erdhi era e ndryshimit, por mbi të gjitha ishte një sistem i kalbëzuar ekonomik që degradoi në tollonat e varfërisë ekstreme.Sot nuk kemi tollona, por kemi një ushtri me njerëz që marrin akoma “ushqimet me lista” në dyqanet e lagjes, të cilët tashmë dhe ato me vendosjen e taksës së TVSH-së do t’i bashkangjiten ushtrisë së varfërisë shqiptare. Qeveria do t’i hedhi “hi syve” shqiptarëve, që gjoja po reformon sistemin social, kur sipas të gjitha statistikave ndërkombëtare, ne jemi të fundit në Europë për buxhetimin dhe mbështetjen sociale në raport me popullsinë.

A mund të më thotë dikush për çfarë sistemi të ri, dixhital apo informatik pikëzimi flasim ne, kur aktualisht 80 mijë familje marrin më pak se 1 euro në ditë, ndërkohë që pragu i varfërisë ekstreme sipas standardeve të Bankës Botërore është 2 $ për person në ditë.
A e kuptoni sesi mund të mbajnë frymën gjallë rreth 300 mijë shqiptarë me më pak se 300 lekë në ditë, që mjaftojnë vetëm për të blerë një byrek!!!Ky është kulmi i talljes, i nëpërkëmbjes dhe i përbuzjes për një popull të tërë!Çfarë krimi kanë bërë këto 20 mijë familje që janë përjashtuar nga skema aktuale??? Avokatët e qeverisë klithin duke thënë se i kanë kapur me televizor në shtëpi, apo me lavatriçe. Sa tragji-komike është kjo situatë për të gjithë ne.
Nuk dua të bëj siç ndodh rëndom që të rrëmojmë për të gjetur 1, 2 apo 10 fakte të abuzimeve me skemën. Por askush nuk është aq naiv që të hajë sapunin për djathë që gjoja njerëz me shtëpi dhe makina paskan nevojë për një byrek më shumë në ditë!!!
Nëse për ato 20 mijë familje qeveria ua hoqi dhe frymëmarrjen e mbijetesës, të jeni të sigurtë se 60 mijë familjet e tjera të skemës, të cilat i mbijetuan skemës së pikëzimit të famshëm, sërish do vënë në gjumë fëmijët e tyre të paushqyer. Mesa duket Kryeministrit të babëzitur nuk po i del e keqja me varfanjakët dhe të vobektët që i çoi në “litarin e qelisë” për një faturë elektrike, ndërsa miqtë e tij grabisin asetet publike dhe boshatisin “arkat e shtetit” me qindra milionë euro koncesione.

 

Artikulli paraprakHetimi i Tahirit, Komisioni do zbërthejë të gjitha lidhjet deri tek Rama
Artikulli tjetërVeliaj trefishoi pagat në Bashki, 276 punonjës mbi 80 mijë lekë