Kryemadhi-Lu-së: Prokuroria, shtojcë e Kryeministrit

Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA z.Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.
“Ishte një proces i njëanshëm, i cili u krye nga Kryeministri me qëllim kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish-ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se: Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për t’u shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe integrimin europian”.
Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në Parlament. Ajo tha se, “gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të Gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e Parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i Parlamentit Ruçi, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në Parlament”, tha Kryemadhi.
“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik, por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfidë, ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.
Kryetarja e LSI, znj. Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë Parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të Parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund t’i jepej rinisë shqiptare.

Artikulli paraprakHotel “Rogner” hap dyert për fëmijët me autizëm…
Artikulli tjetërPaloka i përgjigjet Ruçit