Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar ditën e sotme pas thirrjes në prokurori të liderit të opozitës, Lulzim Basha.
Sipas Kryemadhit, vajtja në prokurori e kryetarit të opozitës tregon fundin e një shteti. Kryemadhi thekson se ky është një sulm i pastër politik, dhe se qeveria dhe prokuroria kanë marrë në mbrojtje krimin dhe kriminelët duke braktisur përfundimisht qytetarët.
Më tej Kryemadhi thekson se sot askush të mos shpresojë që do të qëndrojnë gjithë kohës në pushte dhe se krimet që po bëjnë nuk kanë për tu ndëshkuar, pasi sapo opozita të marrë pushtetin çdo krimineli dhe bashkëpunëtori në krim do t’i tregohet vendi.
Ja çfarë shkruan Kryemadhi
Në kohën kur krimi është shtrirë në çdo segment të qeverisë së Rilindjes, prokuroria thërret për të dëshmuar kryetarin e opozitës.
Në kohën kur kryetari i grupit parlamentar të PS është dukshëm dhe faktueshëm i përfshirë në afera kriminale, Arta Marku dhe Donika Prela, në shurdhësi dhe verbëri kriminale zbatojnë urdhërat e Edi Ramës, duke shënuar fundin e një shteti normal dhe duke firmosur regjimin kriminal dhe të diktaturës mafioze të tij.
Ky i fundit, edhe pse në krye të prokurorisë ka kukullat e veta, sërish nuk paraqitet për t’u përballur me akuzat dhe denoncimet që opozita ka dorëzuar për të. Sepse Edi Rama i frikësohet jo vetëm padive të opozitës në prokurori, por edhe vetë atyre që ka emëruar atje.
Sepse asnjë shërbëtor, sado i bindur, nuk mund ta mbrojë më frymëzuesin dhe zbatuesin e kriminalitetit që po mbyt çdo strukturë funksionale të shtetit.
Vajtja e sotme e kryetarit të opozitës në prokurori është shenja e fundit e qartë se ky pushtet ka rënë!
Frika që i ka pushtuar tashmë nuk njeh më asnjë barrierë ligjore.
Dhe për këtë, përgjegjësi do të mbajnë të gjithë ata që sot drejtojnë policinë dhe prokurorinë me porositë e Edi Ramës dhe të vasalëve të tij.
Askush mos të mendojë dhe shpresojë se shërbimi antiligjor që po iu bëhet personave të veshur me pushtet politik dhe që mbajnë përgjegjësi direkte për vepra kriminale do të mbetet pa u ndeshkuar.
Banditët dhe pushtetarët që iu shërbejnë atyre janë njësoj përgjegjës me ata që fshehin dhe shtrembërojnë prova, apo më keq akoma, shkelin ligjin për ti shërbyer pushtetit.
Opozita e ka të qartë aksionin e saj për çrrënjosjen e krimit dhe bandave nga drejtimi i shtetit.
Askush në botën e qytetëruar dhe në mes të Europës nuk mund ta mbajë gjatë pushtetin duke përdorur mafian dhe pushtetin e pakufizuar.
Dhe lufta pa kompromis ndaj kriminalizimit të pushtetit, përfshirë dhe veglat që i shërbejnë, do të jetë përparësi e misionit tonë, për largimin e një qeverie që drejtohet, jo më nga Edi Rama, por nga mafia që e ka marrë peng atë.