Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka komentuar mungesën e saj në terren gjatë ditëve të gjendjes së emergjencës për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.
Në emisionin “Open” në TCH ajo tha se nuk kishte mundur që të dilte në terren pasi “nuk donte që të bënte propagandë me fatkeqësinë e shqiptarëve”. Më pas ajo kritikoi edhe kryeministrin Edi Rama për shfaqjet e tij gjatë ditëve të tragjedisë dhe bashkëbisedimit me qytetarët.
“Nuk ndjej më mëshirë Edi Ramën por për shqiptarët. 51 viktimat vdiqën për faj të Edi Ramës. Monika Kryemadhi që të shajë me lot krokodili, që të filmojë varre të hapura nuk ka për ta bërë derisa të vdesë.
Nuk e përdor fatkeqësinë e shqiptarëve për propagandë politike. Normal që mediat e Edi Ramës nuk i japin deputetët e opozitës por ERTV live gjatë gjithë ditës. Si bisedon Rama me një qen, si tallet me një njeri me defiçensa mendore, shfrytëzon fëmijët duke i nxjerrë Ronaldon.
Ndjehem përgjegjëse që i kam dhënë këtij vendi me votë një kryeministër si Rama. Ky është Edi Rama. Politike kemi bërë në çdo moment por jo propagandë” – tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se Presidenti i paralajmëroi tërmetin dhe tha se atëherë i thanë se u çmend.
“Thonit u çmend Presidenti se paralajmëroi tërmetin. Kot nuk thotë Rama se ka fallxhoren në shtëpi. Ja fallxhorja e parashikoi. Dhe askush nuk e dëgjoi Presidentin, e quajtur të çmendur”, – u shpreh Monika Kryemadhi.