Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi mbajti një takim me strukturat e kësaj partie në qytetin e Vlorës. Ajo ndër të tjera foli dhe për protestën e studentëve, e cila do të vazhdojë duke nisur nga 7 Janari. Kryemadhi e quajti Ramën një kadavër politike dhe i ftoi të gjithë anëtarët e LSI në protestë duke iu bashkuar studenteve me 7 janar.
Kryemadhi u shpreh e bindur se, pas ngjarjeve në Asamblene e PS ku u larguan shumë ministra dhe u emëruan emra jo shumë të njohur dhe pa kontribute në parti, do të kenë një dyndje të socialistëve drejt LSI-së.
“Edi Rama sot është një kadavër politike, e cila duhet kallur se sa më shumë ta lëmë pa kallur, aq më erë të keqe do t’i vijë Shqipërisë. Prandaj është momenti të ngrihemi, studentët do të rifillojnë protestat e tyre më datën 7 janar, ku jam e bindur që dhe studentët e Vlorës dhe përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë ata studentë që janë sot këtu, ata student vlonjatë, që kanë qenë pjesë e protestës pa ndonjë ide ose nxitje nga LSI, por thjesht me sensibilitetin dhe ndjeshmërinë që ka çdo student, për shkak të taksave dhe tarifave të larta, por për të pasur një ndryshim dhe një sjellje ndryshe të qeverisë shqiptare ndaj jetës studentore në Vlorë.
Ne të gjithë e shikojmë që qeveria e Surrelit ka rënë, por përveç se ka rënë qeveria e Surrelit, njerëzit që ndihen më të frustruar, më të nervozuar dhe më të inatosur, janë socialistët e ndershëm. Sepse janë ata të cilët ndihen të përdorur dhe të shfrytëzuar. Janë socialistët e ndershëm të cilët e kanë të domosdoshme riorganizimin e PS. Por ata nuk mund të presin riorganizim nga një sekt kriminal. Por ata janë të gatshëm sot për të vepruar. Dhe veprimi i tyre është për të rrëzuar këtë qeverisje, e cila nuk është gjë tjetër veçse një strukturë kriminale që mundohet të mbulojë me parfum erën e keqe.
Prandaj ju bëj thirrje sot që detyra e LSI në Vlorë, nuk është thjesht për të organizuar strukturat e saj në të gjithë Bashkinë e Vlorës por për të hapur dyert dhe për tu bërë mikëpritës të gjithë atyre socialistëve të ndershëm të cilët nuk e gjejnë më vetën pranë këtij sekti kriminal. Të jeni të bindur që pas ngjarjeve të djeshme, mbas asamblesë së djeshme do të ketë një dyndje të socialistëve drejt LSI“, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.
Fjala e Kryemadhit në takimin me strukturat e LSI Vlorë
Mirëmbrëma dhe faleminderit të gjithëve që sot keni lënë punët tuaja dhe keni ardhur në këtë takim. Sot është data 29, edhe 2 ditë na ndajnë nga 2018, ku shpresojmë dhe urojmë që 2019 të jetë një vit i mbarë, të jetë një vit i begatë dhe i lumtur për shqiptarët. Jo më larg, por sot këtu nga qyteti i Vlorës jemi në një takim të ngushtë me strukturat e LSI-së. Janë struktura të cilat kanë një rëndësi shumë të veçantë për LSI-më, sepse Bashkia e Vlorës është një nga bashkitë, që për hir të së vërtetës kërkon një vëmendje të madhe. Vëmendja ndaj Bashkisë së Vlorës nuk vjen thjesht duke ngushtuar rrugët dhe duke zgjeruar trotuaret, apo duke shkulur palma dhe duke mbjellë palma të tjera. Vëmendja ndaj Bashkisë së Vlorës vjen duke zhvilluar turizmin, duke krijuar mundësi biznesi që të paguajnë më pak taksa, të ketë një mundësi më të madhe të zhvillimit të ekonomisë. T’i krijojë brezit të ri mundësi për të hapur biznese të reja apo dhe mundësi punësimi.
Bashkia e Vlorës duhet të ishte një nga asetet më të mëdha ekonomike për ekonominë shqiptare. Me një pozicionim të saj gjeografik të mrekullueshëm, që e ka zili e gjithë bota, me një bregdet të jashtëzakonshëm dhe meraviljoz. Me një popull entuziast dhe të zjarrtë, sigurisht që Vlora do të meritonte më shumë. Edhe pse kryeministri i Shqipërisë është deputet i Vlorës, unë mendoj që Vlora duhet të kishte më shumë mundësi, ashtu mos qoftë jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë Shqipërinë. Mendoj që Vlora duhet të kishte më shumë mundësi. Milionat e eurove që janë hedhur investime në Vlorë, të cilët ne i shikojmë, e dinë shumë mirë që gurin e zallit të lumit vlonjatët dhe shqiptarët e kanë paguar si të jetë gur diamanti. Sepse ne e dinë shumë mirë sa ka kushtuar Lungomare e famshme e cila është vetëm me beton dhe me gur zalli. Dhe faturat financiare kanë qenë sikur të jetë e shtruar me flori. Ne e dimë shumë mirë sesi milionat e eurove janë hedhur në Vlorë për të ashtuquajtura fasada të lyera, por në fakt janë vetëm para të futura në xhepat e Edi Ramës dhe të klientëve të tij.
Tjetra që dua të them dhe për hir të së vërtetës është një situatë shumë e rëndë, është që ne sot Vlorën duhet ta kishim një nga qytetet me fuqinë më të madhe punëtore. Me një port i cili duhej zgjeruar më shumë dhe duhet të krijonte mundësi më të mëdha. Me një universitet i cili nuk duhet të lëngojë nga mungesa e fondeve dhe nga mungesa e shumë hapësirave të tjera, të cilat duhet t’i ketë një universitet dinjitoz. Vlora duhet të ishte një qytet që do të zhvillonte jo vetëm një universitet për ekonominë, por duhet të zhvillonte dhe një universitet për navigimin. Sepse ne e dimë shumë mire që turizmi është një nga fushat kryesore për të cilën Vlora duhet të zhvillohet dhe të krijojë shanse dhe mundësi. Por jo vetëm Vlorës, edhe Himarës, edhe Sarandës e kështu me radhë. Gjithë ai bregdet shqiptar ka nevojë për ta zhvilluar turizmin nëpërmjet lëvizjes detare. Apo dhe shumë e shumë mundësi të tjera, të cilat krijojnë jo vetëm mundësi punësimi, por krijojnë edhe shumë mundësi të shkollimit dhe edukimit të brezit të ri.
Në situatën në të cilën ne gjendemi shqiptarët janë të dëshpëruar. Janë të dëshpëruar për shkak të varfërisë, janë të dëshpëruar për shkak të rritjes së taksave. Janë të dëshpëruar për shkak të gjithë atij represioni të institucioneve të shtetit ndaj njerëzve të cilët janë më të dobët. Sepse ne e dimë shumë mirë që sot në Vlorë sundojnë bandat dhe qeverisin kriminelët, por në burg përfundon fukarai dhe i pazoti. Ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh sot në Vlorë, por edhe në gjithë Shqipërinë, që të rinjtë shqiptarë, djem dhe vajza, duke mos pasur më mundësi dhe zgjidhje për të jetuar dhe për të punuar këtu, zgjedhin rrugën e largimit. Por ne si LSI duhet t’i japim një mundësi këtij brezi. Duhet t’i japim një mundësi duke sakrifikuar jashtëzakonisht shumë nga vetja jonë. Edhe pse në ditë të fundit të vitit, që për hir të së vërtetës të gjithë shqiptarët e kanë mendjen që me atë fukarallëkun e tyre që kanë të kalojnë festat dhe ditët e fundit të vitit të gëzuara me fëmijët e tyre, sepse familja në Shqipëri është e shenjtë.
Familja në Shqipëri është e paprekshme. Dhe ajo çka dua të them është që ashtu si ne kujdesimi për familjen dhe për shtëpinë tonë, mendoj që nga sot e tutje LSI duhet të kthehet dhe të mendojë e punojë që të kujdeset për Shqipërinë, si për shtëpinë e saj. Sepse Shqipëria në fund të ditës është shtëpia e shqiptarëve. Dhe siç kujdesen shqiptarët për shtëpinë e tyre, amvisat shqiptare për ta pastruar e mirëmbajtur, burrat shqiptarë për ta ngritur, për të ruajtur shtyllat dhe për të ngritur çatinë e shtëpisë, të njëjtën gjë duhet ta bëjmë këtë gjithë ne kudo që jemi, pa dallim bindjesh politike. Për të ruajtur Shqipërinë dhe për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë tonë.
Sepse duke pasur një shtëpi të fortë ne mund të krijojmë mundësinë dhe mund t’i krijojmë shansin të rinjve shqiptarë që të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Sepse largimi nuk është zgjidhje. Ndryshimi është zgjidhje. Në qoftë se ne jemi të pakënaqur me këtë kryeministër, të cilit për hir të së vërtetës qeveria i ka rënë, sepse dje tregoi hapur që qeveria e Surrelit ra, sot nuk ka ngelur më gjë tjetër vetëm për t’i dhënë edhe shtysën e fundit kryeministrit të sektit kriminal, i cili të bjerë në humnerën e krimit të cilën e krijoi vetë. E krijoi vetë atë humnerë sepse u tregua tamaqar, tregoi që është i pangopur dhe tregoi që shpirti i tij është shumë i varfër dhe sado që të mundohet dhe sado pushtet që të ketë. Nuk e pasuron dot shpirtin e tij. Por kjo nuk do të thotë që ai mund të ketë shansin dhe mundësinë që të varfërojë shqiptarët. Po i varfëron shqiptarët ekonomikisht, por nuk mund ti varfërojë dot ata shpirtërisht. Prandaj dhe ne sot në Vlorë duam që ai Komitet Organizator që ne kemi ngritur në strukturat e LSI së Vlorës, të fillojë dhe ta marrë me seriozitet punën e tij. Sot nuk është më historia që secili nga ne të vijë vetëm. Sot është e nevojshme që secili nga ne duhet të sjellë familjarët e tij, duhet të sjellë komshinjtë e tij, duhet të sjellë rrethin shoqëror, duhet të sjellë bashkëpunëtorët, jo për ti sjellë në LSI, sepse historia e LSI fillon në ditën e zgjedhjeve më 30 shtator. Por për ti afruar dhe për të zgjuar çdo qytetar të Vlorës, për të bërë ndryshimin.
Edi Rama sot është një kadavër politike, e cila duhet kallur se sa më shumë ta lëmë pa kallur, aq më erë të keqe do ti vijë Shqipërisë. Prandaj është momenti të ngrihemi, studentët do të rifillojnë protestat e tyre më datën 7 janar, ku jam e bindur që dhe studentët e Vlorës dhe përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë ata studentë që janë sot këtu, ata student vlonjatë, që kanë qenë pjesë e protestës pa ndonjë ide ose nxitje nga LSI, por thjesht me sensibilitetin dhe ndjeshmërinë që ka çdo student, për shkak të taksave dhe tarifave të larta, por për të pasur një ndryshim dhe një sjellje ndryshe të qeverisë shqiptare ndaj jetës studentore në Vlorë.
Kjo protestë do të vazhdojë dhe do të jetë gjatë gjithë kohës në qëllimin e saj kryesor, jo vetëm për të plotësuar kushtet ekonomike të studentëve por do të jetë dhe një protestë për të ndryshuar dhe atë arrogancë të cilën Edi Rama e ka kthyer ndaj sistemit arsimor. Atë arrogancë harbute, ku ka humbur çdo lloj sensibiliteti, ku ka humbur çdo lloj ndjeshmërie, e cila pak nga pak po kthehet në një diktaturë. Por që unë jam e bindur shqiptarët, sot në 2018 duke e lënë atë dhe duke hyrë në 2019, nuk kanë për ta pranuar. Ne të gjithë e shikojmë që qeveria e Surrelit ka rënë, por përveç se ka rënë qeveria e Surrelit, njerëzit që ndihen më të frustruar, më të nervozuar dhe më të inatosur, janë socialistët e ndershëm. Sepse janë ata të cilët ndihen të përdorur dhe të shfrytëzuar. Janë socialistët e ndershëm të cilët e kanë të domosdoshme riorganizimin e PS. Por ata nuk mund të presin riorganizim nga një sekt kriminal. Por ata janë të gatshëm sot për të vepruar. Dhe veprimi i tyre është për të rrëzuar këtë qeverisje, e cila nuk është gjë tjetër veçse një strukturë kriminale që mundohet të mbulojë me parfum erën e keqe.
Prandaj ju bëj thirrje sot që detyra e LSI në Vlorë, nuk është thjesht për të organizuar strukturat e saj në të gjithë Bashkinë e Vlorës por për të hapur dyert dhe për tu bërë mikëpritës të gjithë atyre socialistëve të ndershëm të cilët nuk e gjejnë më vetën pranë këtij sekti kriminal. Të jeni të bindur që pas ngjarjeve të djeshme, mbas asamblesë së djeshme do të ketë një dyndje të socialistëve drejt LSI.
Sepse vetë LSI është e themeluar nga ata socialistë të cilët nuk pranuan arrogancën e qeverisjes socialiste në 2004 dhe themeluan një parti të majtë që kishte në thelb të saj solidaritetin dhe social demokracinë, që kishte në thelb të saj, dhënien e dorës ndaj mikut, suportimin dhe mbrojtjen ndaj të varfërve dhe rritjen e ekonomisë shqiptare sidomos për shtresën e mesme sepse e dimë të gjithë që Shqipëria nuk ka të pasur në gjirin e saj. Shqipëria ka vetëm një grusht oligarkësh që përdorin paratë e buxhetit të shtetit, për të pasuruar dhe për të fuqizuar xhepat e Edi Ramës. Por pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të varfër.
Janë të varfër sepse e kanë pamundur sot, jo vetëm të paguajnë dritat, ujin taksat që janë ngritur në stratosferë dhe aq më shumë të fillosh dhe të flasësh qoftë për pushime apo qoftë edhe për krijimin e mundësive të reja për fëmijët tanë. Për të mos u zgjatur shumë, unë dua tu uroj një vit të mbarë për 2019. Dua t’u uroj nga zemra një vit të begatë, sepse fundja fundit, nëse ju nuk do të jeni të lumtur në familjet tuaja, nuk do të jeni të shëndetshëm në familjet tuaja, do të jetë e pamundur për të ndryshuar këtë realitet.
Vetëm të gjithë duke u bashkuar dhe duke pasur besimin në Zot, unë jam e bindur që këtë realitet i cili po fillon të ndryshojë ne do ti kemi shanset dhe mundësitë, për ti rikuperuar dhe për ti rikthyer dinjitetin institucioneve shqiptare. Për ti kthyer dinjitetin dhe fytyrën Shqipërisë dhe mbi të gjitha shqiptarëve. Zoti ju ruajt ju dhe familjet tuaja. Gëzuar 2019 dhe një vit të mbarë për ju dhe familjet tuaja.