Kryemadhi në VOA: Pakt kombëtar mes partive politike për të larguar Ramën

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila prej disa ditësh ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe lëvizjet e rradhës së Opozitës së Bashkuar.

Kryemadhi e ftuar në studion e Zërit të Amerikës, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka kapur institucionet, ndërsa shtoi nevojën e një pakti kombëtar mes partive politike në vend.

Ajo insistoi në idenë se Rama ka kapur reformën në drejtësi dhe tha se dosjet e përfolura nga opozita dëshmojnë se Rama ka vjedhur votat më 2017.

“Janë përdorur paratë e krimit të organizuar për të vjedhur votat. Dosja 339 flet për vjedhje votash dhe nuk ka asnjë që të ketë shkuar para gjykatës. Djegia e mandateve është bërë për shkak të situatës politike, pasi Rama ka kapur sistemin e drejtësisë. Rama e ka kapur reformën në drejtësi, të cilën edhe LSI e ka mbështetur.

Nën emrin e të ashtuquajturës reformë, kryeministri ka kapur pushtetet, Rama ia ka hequr të drejtën shqiptarëve të kenë institucione të padrejta. Partitë duhet të flasin për një pakt kombëtar për të shkuar më tej në hapat për në BE”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi: Duhet t’i japim fund tranzicionit

Kryemadhi u shpreh se, vendimi i opozitës për djegien e mandateve ishte një akt ekstrem, por i detyruar. “Ekziston ideja që LSI ka qenë 4 vjet në qeveri me PD dhe 4 vjet me PS. Është e vërtetë që LSI ka luajtur rolin e saj në konsolidimin e institucioneve shtetërore. Siç është edhe rasti i liberalizimit të vizave.

Vijmë në 2017, ka qenë kulmi. Falë Zërit të Amerikës kemi dosjen 339 dhe ka mëse dy vjet që nuk po hetohet dhe nuk ka asnjë të hetuar. Djegia e mandateve është një akt ekstrem. Ky është bejsboll kushtetues. LSI ka patur një rol të rëndësishëm në votimin e reformës në drejtësi, dhe Edi Rama sot po përpiqet ta kapë atë.

Mungesa e Gjykatës kushtetuese ia ka hequr të drejtën opozitës të ngrejë zërin, siç është edhe rasti i Teatrit. Në 2017 nuk e dinim dhe këtë e mësuam falë Zërit të Amerikës. Dosja 339 ka mbetur pezull, edhe dosja për Unazën. Nuk kam parë në asnjë vend ku 1 km rrugë kushton 20 milionë euro”, u shpreh Kryemadhi.

Më pas, Kryemadhi shtoi se, për situatën aktuale të vendit, përgjegjëse është e gjithë klasa politike, duke përfshirë edhe veten.

“E gjithë klasa politike është shkaktare e kësaj situate. Kemi mbyllur sytë dhe gojën disa herë. Sot në rradhë të parë, duhet të heqim dorë nga pushteti. Flasim për korrupsionin, por nuk flasim për një tjetër rrezik: mbetja jashtë projektit të Bashkimit Europian. Nëse mbetemi të fundit me Kosovën dhe Bosnjen, do të thiotë ti varësh mëlçitë ujkut në qafë, duke sjellë edhe rrezikun e ndikimit rus në Ballkan”, deklaroi kryetarja e LSI.

E pyetur për dy protestat më të fundit të opozitës, Kryemadhi deklaroi: “Dënojmë çdo lloj dhune, edhe ndaj policisë, edhe ndaj qytetarëve. Sot problem është fenomeni, jo institucionet. LSI do ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve. Duhet të mbyllim tranzicionin. Jemi vendi i fundit. Po zvarritemi në një rrugë pad drejtimin e duhur”.

auto vo1558024142

Exit mobile version