Kryemadhi: Nuk lejojmë që drejtësia të kthehet në vegël të krimit të organizuar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pasi doli nga Byroja e Kuvendit tha se, nuk i intereson vendimi për masën disiplinore që do të marret. Në një dalje për mediat, ajo tha se çizmja në Parlament ishte një paralajmërim për krimin dhe drogën. “Mbrojtja është jo vetëm morale, por edhe ligjore. Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë janë betuar se do respektojnë Kushtetutën dhe do të bëjnë çdo gjë për përparimin e vendit dhe të popullit. Veprimi ynë ka qenë legjitim, ka qenë një veprim legjitim për mos shkeljen e Kushtetutës nga partia shtet. Sepse është një Kushtetutë që ne e votuam me 140 vota, është një Kushtetutë që i ka kushtuar popullit shqiptar dhe sot ka ardhur dita që sot ajo të zbatohet. Njerëzit, të cilët donin që ta përdornin këtë sistem drejtësie ditën e hënë e shkelën Kushtetutën”. E pyetur në lidhje me masat disiplinore për përjashtimin nga Kuvendi, Kryemadhi: “Absolutisht fare nuk më shqetëson asgjë. Më shqetëson varfëria, e cila po pllakoset çdo ditë e më shumë mbi shqiptarët. Sa më të varfër të jenë shqiptarët aq më shumë nënshtrohen nga Edi Rama dhe kjo është një nga arsyet që ai po i varfëron shqiptarët çdo ditë dhe më shumë për t’i pasur argat të plantacioneve të tij të drogës. Për t’i pasur dhe për t’i kthyer fëmijët e shqiptarëve në spaçator. Nuk është më problemi i politikës, por po them është problem i jashtëzakonshëm droga e tmerrshme, e cila ka zaptuar shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe nuk po hyj fare te universitetet. Kjo është klithma më e madhe e popullit shqiptar. Dhe kjo është një nga klithmat që ka terrorizuar dhe që po i ngre në makth nga mëngjesi në darkë nënat shqiptare. Për këtë gjë nuk do të ndalem në asnjë moment. Luftë kundër drogës dhe kundër atyre njerëzve që duan t’i kthejnë shqiptarët dhe fëmijët e tyre në spaçator”. Monika Kryemadhi tha se, Rama është përgjegjësi kryesor për bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. “Statusin për hapjen e negociatave e ka shkatërruar Edi Rama, ai është përgjegjësi kryesor. Ai nuk ka dashur dhe ka sabotuar në çdo moment Reformën në Drejtësi. Ai është i vetmi përgjegjës, i cili e solli në këtë situatë për të zhvilluar seancën e ditës së hënë, sepse nuk do të ngrihet Byroja e Hetimit, KLP, Prokuroria kundër korrupsionit, sepse është një nga njerëzit më të korruptuar”, theksoi Kryemadhi. E pyetur mbi hapat që do të ndërmarrë opozita për protestën në janar, Kryemadhi tha: “Do të ndjekim të gjitha hapat, sepse ajo që është më e rëndësishme, dua të them që shqiptarët duhet të kenë një sistem drejtësie. E patë çfarë ndodhi dje me familjen Hoxha? Ishin në shtëpi të tyre, në pronë të tyre dhe oligarkët i nxorën jashtë për të ndërtuar pallatet e tyre shumëkatëshe, të cilat krijojnë jo vetëm fitime marramendëse, por pastrojnë paratë e drogës. Këto para, të cilat Edi Rama kërkoi t’i rifusi përsëri në ekonominë shqiptare për ta infektuar atë dhe për ta futur në black list Shqipërinë siç ka bërë gjithmonë”. Ajo theksoi se, akoma në dyert e Prokurorisë flenë dosjet e Ministrisë së Kulturës, të tenderave të tij dhe të fasadave të famshme. “Pafund ka dhe kjo është frika dhe makthi i Edi Ramës. Edhe pse ai e futi në këtë rrugë antikushtetuese Parlamentin shqiptar, frika e tij e madhe është KLP. Dhe do vazhdojë me të gjitha mënyrat, me avokatët e mafies dhe krimit për të uzurpuar këtë sistem drejtësie dhe për ta kthyer atë në një vegël të krimit të organizuar”, theksoi Kryemadhi.

Artikulli paraprakShpërdorim i talentit
Artikulli tjetërBaloteli: Do të kthehesha tek Interi