Kryemadhi: Nuk do lejojmë që Rama me narkoortakët të mbajë peng vendin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi dje në një konferencë për mediat se LSI nuk do të lejojë që Rama të vijojë me projektin e tij për rrënimin e Shqipërisë. Kryemadhi u shpreh se Edi Rama nuk është zgjidhja e problemit, por ai është vetë burimi i problemit e peng i krimit të organizuar. Kryetarja e LSI u pozicionua kundër operacionit të fundit të Ramës për ujin e pijshëm. “Refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër që ka vetëm një objektiv, të burgosë të varfër, të madh e të vogël, të cilët nuk kanë mundësi të kapërdijnë kafshatën e mjerimit e jo më të paguajnë faturat e energjisë apo të ujit të pijshëm”. “Dua të rikonfirmoj edhe një herë mbështetjen që konventa i dha grupit parlamentar dhe kryesisë së LSI-së, në luftën pa kompromis kundër bandave dhe krimit të organizuar, kundër oligarkëve të kazanit të rilindjes me super koncesionet e tyre kriminale. Kundër atij segmenti drejtues të policisë, të vendosur nën thundrën e Rilindjes, që Edi Rama u bëri thirrje hapur për të hedhur kapelet e të mblidhnin vota për Rilindjen. Miliardave të plantacioneve të kanabisit e drogave të tjera që u hodhën pafund për blerje votash, por edhe në blerjen e bojkotit të atyre votuesve që ishin antiRilindje”, tha Kryemadhi. Ajo theksoi se çmontimi i këtyre katër shtyllave është misioni dhe shpëtimi i demokracisë e shtetit ligjor. “Nuk do të lejojmë realizimin e projektit të vërtetë të Rilindjes, për një Shqipëri narkoshtet demokratik. Edi Rama nuk është zgjidhja e problemit, por ai është vetë burimi i problemit e peng i krimit të organizuar. Ishte Edi Rama që futi në Parlament dhe në zgjedhjet bashkiake persona dhe individë me precedentë penalë e me të kaluar kriminale. Ishte ai që mbronte kriminalizimin e politikës shqiptare e pengonte dekriminalizimin e saj”, tha Kryemadhi. Ajo theksoi se çdo ditë Kryeministri i krimit të organizuar po deligjitimon institucionet demokratike dhe po e zhvendos përballjen jashtë institucioneve, atje ku ai s’ka parë gjë akoma. “Projekti i tij për Shqipërinë si narkoshtet demokratik është i pashpresë dhe nuk ka narkondërkombëtar që ta shpëtojë atë edhe pavarësisht nga lobimet e tij me pagesa marramendëse të një të papërgjegjshmi që kërkon të marrë peng të ardhmen e një kombi të tërë”, tha Kryemadhi. Kryemadhi tha se vullneti politik i LSI-së është vullneti i qindra mijëra njerëzve të thjeshtë që refuzojnë qeverinë e drogës dhe të krimit. “Që refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër, telekomandën e të cilit e ka në dorë krimi i organizuar. Ky njeri kërkon të qeverisë vendin me kriminelët dhe ortakët e tij. Reforma në drejtësi tashmë ka rënë. Të gjithë e pamë dhe e dëgjuam dje një Kryeministër që kërkon të bëjë: policin, hetuesin, prokurorin e gjykatësin. Ky kryeministër që mishëron regresin, të keqen, negativen, i dhanë përgjigjen mijëra anëtarë të LSI në Konventë. S’ka më asnjë kohë për të humbur. Rama po i hap përditë plagë të thella Shqipërisë dhe familjes shqiptare. Rezoluta e Konventës së LSI-së është pikërisht ajo që shqiptarët na kanë kërkuar. Kjo vetëdije politike po forcohet orë pas ore dhe ditë pas dite, duke u kthyer në vullnet popullor”, tha Kryemadhi.

Artikulli paraprakQeveria Rama i ka ditët të numëruara
Artikulli tjetërAlarmi nga Brukseli: Rama po përkeqëson situatën