Kryemadhi parlajmëron Ramën: Larg një herë e përgjithmonë duart nga sistemi i drejtësisë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, u pyet edhe mbi takimin nesërm që krerët e partive opozitare do të zhvillojnë me presidentin e Republikës, mbi krizën politike dhe atë me Gjykatën Kushtetuese si dhe për zgjedhjet e parakohshme.

Sipas saj, politika duhet të heqë dorë një herë e mirë nga sistemi i drejtësisë, ndërsa shtoi se, ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një hap përpara zgjidhjes së ngërçit politik në vend.

Opozita ka deklaruar se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme ndërkohë që Kryeministri Rama ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga mandate i tij. Ditën e nesërme keni një takim me Presidentin Meta i cili së fundmi për retorikë ose jo është shprehur për shpërndarje të Parlamentit. A është kjo mundësia e vetme që i ka mbetur opozitës që të rikthehet në Parlament duke qenë se me protesta dhe me denoncime nuk ka arritur ta largojë Kryeministrin Rama?

“Unë nuk mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për emra të përveçëm, mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje të krizës politike në të cilën ne gjendemi. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një hap përpara zgjidhjes së këtij problemi sepse duke u ngritur Gjykata Kushtetuese, duke filluar funksionimi i saj do të jetë një garanci për opozitën.

Mos të harrojmë që largimi i opozitës në shkurt nga Parlamenti dhe djegia e mandateve vinte edhe si rezultat i mungesës së Gjykatës Kushtetuese ku shumë problematika ose shumë shkelje, jo vetëm të Kushtetutës por edhe të të drejtave të njeriut që i janë bërë opozitës në Parlamentin Shqiptar nuk kishin më se ku të gjykoheshin.

Kështu që, rifillimi I këtij institucioni do të krijonte hapësira shumë të reja. Jam e bindur që Z. Rama do të vazhdojë dhe do të luajë që për të gjitha veprimet që ka marrë tani mazhoranca është dakordësuar me partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE por unë dua të theksoj edhe një herë, SHBA-të kanë vetëm një qëndrim ndaj Shqipërisë, zbatimi i Kushtetutës dhe larg duart e partive politike nga sistemi i drejtësisë.

Larg duart një herë e përgjithmonë të politikës nga sistemi i drejtësisë në mënyrë të tillë që pandëshkueshmëria të mos jetë më vlerë e qeverisjes dhe partive politike por pandëshkueshmëria të harrohet në Shqipëri dhe të ndëshkohen të gjithë ata që shkelin ligjet, Kushtetutën dhe janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në të gjithë proceset korruptive që kalon sot Shqipëria”, deklaroi Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur për vendimin e Presidentit Ilir Meta që shpalli “non grata” Ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt.

E pyetur nga gazetarët lidhur me vendimmarrjen e kreut të shtetit, Kryemadhi e cilësoi Borchard-in një njeri të lidhur ngushtë me mazhorancën, aq sa mund të kandidohej nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit Agaçi, si anëtar për Kushtetuese.

“Borchard mund të kishte kandiduar për Gjykatën Kushtetuese, sepse Agaçi mund ta kandidonte në Gjykatën Kushtetuese, mund të ishte kandidati i tij, mund të ishte edhe në vakancat e Kuvendit, që miratoi në mënyrë të paligjshme dy kandidatë. Lidhur me gushtin e mesit, kush  fyen shqiptarët ta marri mbrapsht ai dhe atë çka përfaqëson”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së foli edhe për mesazhet që mori nga zyrtarët e lartë amerikanë, nga takimet në SHBA.

Exit mobile version