Kryemadhi: “Rama peng i krimit të organizuar, falangat do t’i kthehen atij në kokë”

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha sot se Sajmir Tahiri dhe Edi Rama janë peng të njëri-tjetrit dhe të dy janë pengje të krimit të organizuar.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LSI-së, Kryemadhi tha se dorëzimi i mandatit nga Tahiri janë inskenime të Ramës, ndërsa shtoi se ish-ministri i Brendshëm duhet të tregonte dinjitet dhe jo të shantazhonte Edi Ramën.
“Kemi përballë një qeveri të diskretituar ndërkombëtarisht, ndërsa qytetarët presin nga opozita një aksion të pakompromis për të shpëtuar Shqipërinë, për ta nxjerrë nga bataku ku Edi Rama kërkon t’a mbajë”, tha Kryemadhi.
Ajo tha se për të qenë të fortë duhet të kemi një bashkëpunim me qytetarët dhe duhet të bindim qytetarët që të na bashkohen në aksionin opozitar që nuk do të rreshtë deri në largimin e Edi Ramës.
“Shpesh dëgjojmë batuta të Ramës dhe suflerëve të tij, përdor falangat kundër njerëzve të LSI-së. Por po ju garantoj se shumë shpejt këto falanga do t’i kthehen atij në kokë, pasi është peng i krimit të organizuar”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSi bëri të ditur ngritjen e Departamentit të Organizimit në strukturat e kësaj force politike. “Jemi jo vetëm realitet politik, por një institucion i pranishëm në politikën shqiptare. Sulmet e paguara me paratë e drogës ndaj LSI-së do të vazhdojnë, por ne po paguajmë gabimet tona që janë: bëmë Ramën Kryeministër, pranuam Tahirin ministër të Brendshëm, miratuam ligjet për reformën në drejtësi, atë të Arsimit të lartë, nuk pranuam kanabizimin e vendit, ndaj ne duhet të mësojmë nga këto gabime”, tha Kryemadhi.

Artikulli paraprakFati i Tahirit i lidhur politikisht dhe penalisht me Ramën!
Artikulli tjetërKllouni shfaqet prapë në kulmin e dëshpërimit!