Kryemadhi: Shqiptarët do ta tërheqin zvarrë Edi Ramën

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur prej ditësh një tur në të gjithë vendin duke iu bërë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të kësaj force t’i bashkohen në protestën e 27 janarit të thirrur nga opozita.
“Sot më shumë se kurrë duhet t’i thërrasim mendjes. Ne kemi dy rrugë ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria ose Edi Rama nga qeveria. Kostoja më e vogël është të largohet Edi Rama. Ky është shansi i vetëm që shqiptarët kanë për të shpëtuar nga kjo kapje e shtetit, nga krimi i organizuar. Do të doja të flisja për situatë ekonomike. Sot më shumë se kurrë duhet të zgjohemi nga apatia sepse e ndiejmë të gjithë që jemi më të varfër. Nëse nënshtrohemi do të jetë gjumi i vdekjes sepse të gjithë do të ikin nga Shqipëria”, tha Kryemadhi.
Ajo u shpreh më tej se “me sjelljen që po bën Edi Rama të jeni të bindur se shqiptarët do ta tërheqin zvarrë prej së gjalli”. “Të gjithë së bashku më 27 janar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, jo vetëm ju, por edhe familjarët tuaj, për të bërë një protestë paqësore, por të qartë për t’i thënë Edi Ramës që kaq sa jemi me një frymë të rrëzojmë”, deklaroi Kryemadhi.

Artikulli paraprakPollo: Të gjithë në rrugë deri në rrëzimin e Ramës
Artikulli tjetërNoka: Populli nuk mban më, as opozita nuk e mban më popullin