Kryemadhi thirrje shqiptarëve: Ky është moment, më 8 Korrik të gjithë bashkë për…

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i është drejtuar me një mesazh të fortë, qytetarëve shqiptarë sot për të marrë pjesë në protestën e 8 korrikut. Kryemadhi thekson se “Rama e ka ngritur pushtetin mbi shkatërrimin e institucioneve dhe kapjen e tyre” dhe se “ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta”.

Në mesazhin e shoqëruar me videomesazhin e mëposhtëm, Kryemadhi shprehet:  “Jemi në këtë betejë jo vetëm për zgjidhjen e krizës së momentit, por për t’i dhënë fund kalvarit 30 vjeçar të tranzicionit.

Edi Rama e ka ngritur pushtetin mbi shkatërrimin e institucioneve dhe kapjen e tyre. Më 30 qershor Shqiptarët refuzuan autokracinë, pushtetin e krimit të organizuar, shtetin e grabitjes së taksave të shqiptarëve dhe votimet fake të partisë-shtet.

Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që buron nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Atdhe ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet.

Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin. Më 8 Korrik të gjithë bashkë për një Shqipëri Evropiane. Asnjë hap pas!”

Artikulli paraprakPaloka: Më 30 qershor Rama dështoi në të gjithë skenarët e tij, data e zgjedhjeve nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e opozitës
Artikulli tjetërRama, projektligj për Rininë vetëm për të financuar FRESSH-in