Kryeministër “kazanësh”

Basir ÇOLLAKU

Edi Rama kryeministri i vendit, nga nisja e karrierës së tij publike dhe politike, është tërësisht një prodhim mediatik. Turi i tij u shkreh më së pari ndaj partisë së vjetër, nga vinte familja e tij, nga ish-blloku. Refleksionet, shkrimet e tij kundër PP, PS, ishin një batërdi hormonesh mendore nga ana e tij, me gjasë do të mbillte profil demokrati, për të bërë përpjetë në krye të ndonjë partie. Pasojë e dalldisë së papjekur dhe shthurjes së papastër, Rama nuk u sajua dot me veten, e hodhën dhe dekonspiruan, pak ata që kishin zënë vendet, e ca ata që e dërguan në këtë pazar të madh për durimin e tij të vogël. E kështu degdia në Francë ishte heshtja derisa u shfaq Nano në një episod dobësie apo urdhëri për ta bakshishosur si ministër kulture. Aty nisi kazanizimi i Ramës. Ish-kryeministri Nano, kumbara e tij i penduar për ofertën, shpesh e ka sekëlldisur Ramën për higjenën e munguar. Por ashtu nisi sjelljen ndaj Nanos e Metës, herëe i urtë, herë servil, herë karagjoz, herë i dhunshëm, Rama diti të shesë nëpër kazanë, imazhet e ecjet e tij, duke fituar pak nga pak e shtyrë shumë e nga shumë. Kazanët si për nostalgji franceze u bënë streha e tij ditore dhe më tepër. Kështu ai nisi vetëpromovimin kazanian sapo mori Bashkinë e Tiranës. Duke qenë se kazanët kombëtarë dhe lokalë kishin nevojë për ca para më tepër, lejet e ndërtimit u bënë ilaçi për të kontrolluar kazanët informativë. Rama e nisi si kryebashkiak kazanësh. Kështu mori PS-në, kështu me kazanë e pastroi, po ashtu mbërriti u bë Kryeministër. Tani në këtë karrike KM është bërë i dhunshëm përtej parashikimeve edhe të vetë kazanëve që e prodhuan. Nisi të emërojë dhe shkarkojë gazetarë, moderatorë, drejtues lajmesh dhe programesh. Tashmë botuesit i rrinë lepe e peqe. Në çdo konferencë shtypi do kruhet me ndonjërin nga kazanët. Ju jeni kazanë që zieni, kazanë balte, kazanë moçalesh..e kështu kazan më kazan tashmë të punësoshesh në një kazan privat duhet të marrësh bekimin e Kryeministrit. Së paku me kazanët e vendit. Nëse nuk i pëlqen KM, qiraxhiu i kazanit, largon nga puna këdo gazetar që si shkon pas midesë. Sot kur liria e medias është një iluzion ne jemi vend me një kryeministër kazanësh..Ta gëzojmë kazanerinë. Së paku të kemi një grevë dy ditore kazanësh që KM të mos ketë ku të dalë. Të nxehen kazanët…dhe vijojnë përshëndetjet të fala këtij kazani të fala asaj kove apo teneqeje…aferim.

Artikulli paraprakMediat po bien, qytetarët do ngrihen
Artikulli tjetërKëshilltarët e djathtë: “Veliaj braktisi qytetarët”