Kryeministri i Britanisë së Madhe: Gati të vendosim trupa ushtarake në terren për të mbrojtur paqen në Ukrainë! Zelensky duhet të jetë pjesë e negociatave me Putin

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer ka shprehur gatishmërinë e tij për të dërguar trupa britanikë në Ukrainë për të ndihmuar në garantimin e sigurisë së saj si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Kryeministri i Britanisë tha që sigurimi i një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë është “thelbësor nëse duam të pengojmë Putin nga agresioni i mëtejshëm në të ardhmen”.

Para se të merrte pjesë në një samit emergjent me liderët evropianë në Paris,  Keir Starmer tha që Britania është e gatshme të kontribuojë në garantimet e sigurisë për Ukrainën duke “vendosur trupat tona në terren nëse është e nevojshme”. Ai theksoi se kjo nuk është një vendim i lehtë dhe e ndjen thellë përgjegjësinë që lidhet me vendosjen e ushtarëve britanikë në rrezik.

Keir Starmer shtoi se çdo rol në ndihmën për garantimin e sigurisë së Ukrainës është një kontribut në sigurinë e kontinentit dhe të Britanisë. Ai theksoi që fundi i luftës së Rusisë me Ukrainën “nuk mund të jetë thjesht një pushim i përkohshëm para se Putin të sulmojë përsëri”.

Trupat britanikë mund të vendosen së bashku me trupa nga vende të tjera evropiane përgjatë kufirit midis territoreve të kontrolluara nga Ukraina dhe ato të kontrolluara nga Rusia.

Ministri i Shëndetësisë, Ëes Streeting, tha për BBC se qeveria e sheh luftën në Ukrainë si “fronti i parë për Evropën dhe për Britaninë”. Ai tha që Britania është e gatshme të luajë rolin e saj në sigurimin e të ardhmes afatgjate për Ukrainën, Evropën dhe sigurinë kombëtare të Britanisë.

Ky njoftim i Keir Starmer  vjen pasi ish-kreu i Ushtrisë, Lord Dannatt, i tha BBC-se që ushtria britanike është “shumë e dobësuar” dhe nuk mund të kryesojë ndonjë mision të ardhshëm mbajtjeje të paqes në Ukrainë. Ai tha që dërgimi i trupave në Ukrainë do të kishte një “kosto të konsiderueshme” dhe do të kërkonte një rritje të financimit për ushtrinë.

Keir Starmer ka thënë më parë se trupat britanikë mund të përfshihen në mbrojtjen e Ukrainës pas një armëpushimi. Ai është gati të vizitojë Presidentin Donald Trump në Uashington këtë muaj dhe tha që një “garanci sigurie nga SHBA-ja është thelbësore për një paqe të qëndrueshme, sepse vetëm SHBA-ja mund të pengojë Putin nga një sulm i ri”.

Sir Keir Starmer po takohet me liderë të tjerë evropianë për t’iu përgjigjur shqetësimeve që SHBA-ja po ecën përpara me Rusinë në bisedimet e paqes, duke e lënë jashtë Evropën. Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, planifikon të takohet me zyrtarë rusë në Arabinë Saudite në ditët e ardhshme.

Një burim i lartë i qeverisë ukrainase tha për BBC-në e diel se Kievi nuk është ftuar në bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë. Presidenti Trump tha se pret që Zelensky të përfshihet në bisedat dhe do të lejojë që vendet evropiane të blejnë armë amerikanë për Ukrainën.

Duke shkruar në Telegraph, Keir Starmer u shpreh që “paqja nuk mund të arrihet me çdo kosto” dhe “Ukraina duhet të jetë në tryezë në këto negociata, sepse çdo gjë tjetër do të pranonte pozitën e Putin-it që Ukraina nuk është një komb i vërtetë”. Ai shtoi se nuk mund të kemi një situatë si në Afganistan, ku SHBA-ja negocioi direkt me Talibët dhe e la jashtë qeverinë afgane.

Keir Starmer shprehu besimin se Presidenti Trump do të dëshirojë të shmangë këtë gjithashtu.

Artikulli paraprakDOKUMENTI I GJKKO/ 50 mijë euro blerje online , ja e vërteta e fustaneve nga gjyshja tek Ajola Xoxa!
Artikulli tjetërAksident i rëndë, makina përplaset me mjetin e ushtrisë, dy viktima!