Nga Roland BEJKO
Dua ta filloj me një ndjesë të thellë për të gjithë lexuesit për këtë shkrim sot në ditën më të gabuar, por duke e konsideruar arsyen e reagimit tim si pasoja dhe jo shkaku, nuk mund të rrija pa reaguar ndaj sjelljes së sotme skandaloze të Kryeministrit të vendit tim.
Me thënë të vërtetën, sot prisja prej tij një qasje tjetër ndaj situatës, njerëzve, faktorëve politikë dhe opinionit publuk.
Prisja prej tij një sjellje jo politike, jo ngacmuese, jo përçarëse, jo përqeshëse, jo arrogante, ndaj kundërshtarëve politikë, por përbashkuese, përunjësie fisnike dhe qytetare që do vinte me një ftesë të sinqertë për bashkëpunim dhe solidaritet. Ooh, sa mirë do të ishte sikur të ndodhte.
Nuk qe e thënë. Nuk e fsheh që u skandalizova kur e dëgjova në radio rrugës për në Durrës, teksa bënte pa rreshtur gërr- gërr, e mërr-mërr. Të thëna aq dendur gati në çdo frazë mu krijua ideja sikur nga një rëpirë mali dikush po rrugulliste gurrë e shpella që do të binin në kokë si rrebesh e do të zinin përfund më keq se çatitë prej betoneve të pallateve rrëzuar prej tërmetit këto ditë.
Në një shoqëri normale, raste të tilla tragjike fatkeqësish natyrore ose jo, media, opinioni publik, opozita e të tjerë faktorë e kanë për detyrë të vëzhgojnë dhe të denoncojnë gjithçka që çedon nga mos menaxhimi i duhur, jo për politikë, por për qëllimin e mirë që gjërat të funksionojnë si duhet, për të krijuar sentimente solidariteti, që të gjithë bashkë të mundim ti bëjmë ballë fatkeqësisë duke qenë edhe vet të përfshirë në sistemin e ndihmës dhe të bashkëpunimit me të dëmtuarit e shumtë.
Ndaj, kur e dëgjova të bënte pantonima fjalësh të tilla si gërr-gërr e mërr- mërr, mendova për një çast se ky derrëziu paska ikur nga fiqiri, thash, zot qenka çmendur!
Por nëse vërtet nuk është çmendur, atëherë është aq i lig saqë edhe në një ditë zie kombëtare si kjo e sotmja i shkoka në atë mendjen e tij djallëzore të kalkulojë me detaje një strategji PR për të lartësuar veten e për të poshtëruar kundërshtarët politikë në sy të opinionit publik vetëm e vetëm pse ata një natë më parë i kërkuan me të drejtë të shpallte gjendjen e jashëzakonshme për menaxhimin e situatës.
Dhe në këtë rast pyetja që i bëra vetes ishte se si ka mundësi mor zotërinj që ky njeri të jetë kaq i lig edhe sot? Çfarë mitre ka qenë ajo që e ka pjellë këtë monstër? Si ka mundësi mor që edhe sot në këtë situatë tragjike mer kohë televizive për të bërë gërr-gërr e mërr-mërr me kundërshtarët e vet ?
Një kryeministër normal, i mençur dhe patriot do të kishte rastin më të mirë sot në këtë fatkeqësi natyrore për tu bërë thirrje për bashkim, për solidaritet kombëtar gjithë shqiptarëve, partive politike, shoqërisë civile, biznesit, gjithë qytetarëve, për më tepër kur është e dukshme se ka një ushtri të shkrehur, forca xheniere pa paisjet e nevojshme, forcat e ndërhyrjeve për emergjencat civile të patrainuara për menaxhimin fatkeqësive nga tërmetet pavarësisht dëshirës dhe përkushtimit të tyre personal për të bërë më të mirën, kur ka edhe një ark shteti bosh, pa financa.
Ky që i thot vetes kryeministër, për fatin tonë të keq edhe sot e ka mendjen si të lartësojë veten në sytë e njerëzve si “gjigandi” që do mundë i vetëm bajlozin e zi që ka dalë nga deti pa pasur nevojë për ndihmën e këtyre “liliputëve” të brendshëm.
Tha se ka folë me kolegët evropianë, por nga ana tjetër nuk është në gjendje të flasë dot as “me kolegët” e tij shqiptarë. Ky që i ka përçarë e ndarë ata si kurrë më parë në historinë e shtetit të tyre.
Por pavarësisht këtij të përkohshmit që kemi fatkeqësinë e madhe ta durojmë në krye të vendit edhe sot në të tilla tragjedi, të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që janë kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen maksimale për qytetarët që kanë humbur njerëzit e tyre në rënojat e shtëpive, dhe po organizohen të mbështesin me ndihma të dëmtuarit e shumtë.
Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë në këto çaste të rënda për familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur duke ju uruar një shërim të shpejtë të lënduarve. Ndërsa lutjet i drejtohen zotit që ta mbyllë me kaq historinë e tërmeteve sidomos në Shqipëri sepse boll i ka ndëshkuar ata duke u vënë në krye një të çmendur që ua ka bërë përditë e më shumë jetën tërmet qytetarëve që braktisin përditë nga sytë këmbët vatrat e tyre.