Kryeministri i lidhur me pushtetin politik prej 20 vitesh pandërprerje tashmë e ka sosur bojën…

Nga Bujar NISHANI

Tashmë pas 30 vitesh të hyrjes së Edi Ramës në politikë dhe pas 20 viteve në pushtet të pandërprerë, teksa dëgjon e lexon qëndrimet e tij dhe sheh aktet që tenton të shesë, e kupton se të gjithë fasadën e tij e ka ngritur mbi dy narrativa.

E para në politikën e brendshme dhe për konsum të opinionit vendas dhe të dytën për lobimin në kancelaritë perëndimore dhe qendrat e kujdesit të ekuilibrave rajonale dhe stabilitetit.

Por që të dyja këto narrativa të tij janë të gënjeshtra apo siç është ndërkombëtarizuar sot termi. FAKE !

Pas 11 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama la një trashëgimi tmerrësisht negative, të pa ndreqshme dhe modelin e një kulture skandaloze të kultivimit të rrënjëve më helmuese që mund të ekzistojnë në një shoqëri që degradon!

Atë të mpleksjes së korrupsionit zyrtar me krimin e nëndheshëm.

Gjenerata jonë është e dënuar të jetojë deri në fund dhe gjeneratat që pasojnë do të trashëgojnë pafundësisht një qytet betoni, me një urbanizim anarkie, me normat më të ulta në botë, të gjelbërimit dhe rehabilitimit social si dhe me normat më të larta të ndotjes në Evropë me riskun e rritur të vdekjeve prej ndotjes.

Gjatë dy mandateve qeverisëse të vendit, ja arriti të injektoj modelin ; se si pushteti mund të merret edhe në shekullin e 21-të e mu në qendër të Evropës, me bandat e krimit të organizuar e më tej me ta të kollarisur, komandon jo vetëm botën e errët të nëndheshme por edhe të shvasë deri në lëkurën e shtatë, vetë shtetin.

Të gjithë këtë zezonë të shkaktuar shqiptarëve është përpjekur t’jua shesë e bojatisë me narrativën e vet përsëritëse sa herë egërsia e popullit acarohet.

‘Unë jam artist…, nuk jam politikan’.., ka tentuar tu shitet prej 30 vitesh shqiptarëve.

Në fakt, në botën e artistëve realë ka një postulat monumental !

Atje thuhet ; se të vetëdeklarohesh artist është njësoj si të thuash ; ‘unë jam gjeni’, ndaj dhe artistët e vërtetë kurrë nuk i ka dëgjuar njeri të thonë ‘unë jam artist’….!

Kryeministri ynë i lidhur me pushtetin politik prej 20 vitesh pandërprerje tashmë e ka sosur bojën e kësaj antiteze të keqpërdorur.

Ajo që e ka ndihmuar më shumë në manipulimin me këtë tezë të brendshme, është narrativa që duket se kanë përdorur lobistët e tij në Perëndim, jo vetëm për të skalitur nguljen e tij tek shteti shqiptar, por edhe ta mbajnë në lundrim mbi skandalet e panumërta dhe të rënda ndaj shqiptarëve.

Lobistët e tij duket se kanë përdorur me sukses narrativën se; Edi Rama është i duhuri për të patur një ‘dealmaker’ në stabilizimin e historisë armiqësore shqiptaro-serbe !

Kjo është fund e krye një narrativë fake por edhe e dëmshme për vetë prespektivën e një realiteti paqeje, mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe respekti reciprok në rajonin tonë.

Për ta shpjeguar pse është fake dhe e dëmshme duhet të nënvizojmë se trashëgimia e hidhur e relacionit shqiptaro-serb duhet të adresohet në një platformë, angazhim, kulturë dhe sjellje krejt tjetër nga ç’ka qenë prej shekujsh.

Ne duhet të transformojmë agresionin dhe

linçimin ndaj shqiptarëve në një kontekst paqeje dhe stabiliteti!

Gjenocidin dhe spastrimin etnik në shkëmbime dhe komunikime në një hapësirë sigurie!

Fobinë dhe shovinizmin në mirëkuptim dhe respekt reciprok!

Kurthet dhe propagandën negative në komunikim dhe edukim rreth të së vërtetës prosperuese!

Narrativa e lobistëve të Edi Ramës në Perëndim se ; ky është aktori që do ndihmojë të skicohet kjo tablo, është gënjeshtër, është fake, është e dëmshme!

Së pari e mbi të gjitha, pajtimi dhe stabilizimi shqiptaro-serb nuk do të mund të bëhet përmes Tiranës por përmes Prishtinës!

Së dyti, pajtimi dhe stabilizimi shqiptaro-serb nuk do të mund të bëhet mbi modelin e vasalitetit dhe korrupsionit por civilizimit dhe reciprocitetit ku garanti është ombrella e kulturës perëndimore.

Së treti, në aspektin politik në Shqipëri, procesin nuk mund ta ndihmojë e majta e afiluar për shkaqe ideologjike ndaj interesave të njëanshme serbe dhe e kompleksuar në sjellje prej këtij afilacioni dhe trashëgimie partiake, që nga zanafilla e saj pas Luftës së Dytë Botërore, çka ka mbetur e konservuar deri në ditët tona.

Edi Rama nuk mund të jetë zgjidhja pasi tendenca e tij paternaliste ndaj Kosovës mund të pëlqehet nga Serbia por krijon armiqësi të re në Kosovë.

Vasaliteti si komportim, për më tepër nga një qeverisje e marrë peng nga korrupsioni skandaloz, nuk mundet dot kurrë të imponojë reciprocitet e për më tepër ta akomodojë atë nga pozita e civilizimit dhe transparencës.

Filia personale serbe e Edi Ramës nuk është ndonjë gjë e keqe, por fakti që ajo lloj filie e tij gjeneron fobi ndaj shqiptarëve të Kosovës, e kthen atë në një problem.

Ndaj kjo narrativë e lobistëve të Edi Ramës për ta prezantuar e mbajtur atë si mekanizmin që do lëvizë ndryshimin është totalisht e gënjeshtërt.

Ajo është FAKE, por njëkohësisht edhe e dëmshme, pasi nuk krijon shance reale për të lëvizur realisht përpara.

Artikulli paraprakI vihet zjarri në makinës së gjyqtarit
Artikulli tjetërPse indinjohet Rudina Xhunga…