Kryeministri, ky “artist” që nuk bëri dot një program për artin!

Nga Taulanda JUPI

Mungesa e vizionit në hartimin e programit të artit dhe kulturës për katër vitet e ardhshme nga qeveria Rama 3, mungesa vullnetit për të reflektuar mbi çfarë është bërë gabim, analizat dhe arsyet, tregon paaftësinë, papërgjegjshmërinë por mbi të gjitha dështimin e plotë për të kryer reforma të vlefshme në kulturë, art dhe trashëgimi kulturore si një prioritet për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përballë një diversiteti kulturor global që gjallon e zhvillohet me shpejtësi, por edhe si një parakusht për një realitet social më tolerant e më gjithpërfshirës, për të cilin sot kanë aq shumë nevojë shqiptarët.

Rihapja e Teatrit të Operas Baletit dhe ofrimi tek publiku si një “ngjarje e jashtëzakonshme që vendos standarte të reja” , nuk mund të mbulojë dështimin dhe mungesën e vullnetit politik për vendimmarrje të drejta në shërbim të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore gjatë viteve të qeverisjes së kësaj maxhorance 2013-2021. Vendimmarrja politike në tetë vitet e fundit nuk pati si parakusht premtimet dhe projektet për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, por axhenda personale në themel të së cilave qëndrojnë skema korruptive rezultat i të cilave fatkeqësisht ka qenë dëmtimi në mënyrë të pakthyeshme i vlerave të rëndësishme të trashëgimisë, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

“Ne vendosim standarte” – ishte fraza që u duhej ofruar shqiptarëve gjatë paraqitjes së programit për artin, kulturën dhe trashëgiminë.

Po! Shembja e Teatrit Kombëtar, përmes dhunës, terrorit dhe paligjshmërisë është standarti që ky kryeministër ka vendosur e duke shpërfillur jo vetëm zërin dhe vullnetin e qytetarëve, por edhe partnerët ndërkombëtarë e organizatat prestigjioze që mbrojnë dhe vlerësojnë trashëgiminë kulturore si Europa Nostra, të cilët vazhdimisht ngulën këmbë për dialog dhe zgjidhje institucionale.

Një tjetër standart në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm në art dhe dhe kulturë është politika dhe vendimmarrja e centralizuar dhe vertikale, pa borde transparente, në mungesë totale të reformave apo miratimit të ligjeve të premtuar që do të vazhdojë t’i mbajë institucionet publike të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të varuara dhe nën presionin e pushtetit, do t’i bëjë më hermetike ndaj individit krijues apo punonjësve të tjerë në fushën e artit e kulturës dhe si rrjedhojë më pak efikase.

Standarti tjetër i vendosur nga ky kryeministër është mosmbajtja e premtimeve, që vërteton se propaganda, është i vetmi mekanizëm funksional me të cilin po drejtohet Shqipëria sot e tetë vite.

Në dy mandate qeverisës, përtej premtimeve për një “Ligj të ri për artin, kulturën dhe krijimtarinë”, ky kryeministër dhe ekipi i tij, ka dështuar sepse nuk arriti të hartojë dhe miratojë asnjë paketë ligjore që mbron dhe standartizon të drejtat e individit krijues, asnjë ligj për krijimtarinë, nxitësit fiskalë apo hallka të tjera që do të çlironin këtë sektor nga centralizimi, për të dhënë mundësi punësimi për artistët, krijuesit dhe punonjësit e tjerë në fushat e artit dhe krijimtarisë, për të nxitur një treg konkurues, të drejtë ku produkti kulturor dhe kreativ të vlerësohet mbi cilësinë.

Rritja e pagës për artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit nuk duhet të serviret si një nder apo si një shpërblim që kryeministri personalisht ju bën artistëve të këtij institucioni, përkundrazi paga dhe shpërblimi dinjitoz në përputhje me performancën arttistike të artistëve, është një e drejtë dhe domosdoshmëri, jo vetëm për ta.

Mungesa e vizionit që ishte në thelb të programit për artin dhe kulturën, nuk mund të ofronte rishikim të politikës fiskale në të gjithë spektrin e industrisë kreative, duke filluar që tek industria e botimeve, artet pamore, artet e performuara, kinematografia e deri individi krijues dhe operatorët privat, për të çliruar tregun dhe për ta bërë produktin e krijimtarisë më konkurues dhe të lëvizshëm në rajon dhe përtej. Në mendimin tim arti, kultura dhe trashëgimia kulturore duhet dhe mund të zhvillohen e shndërrohen në një industri kreative me impakt social dhe ekonomik vetëm nën një politikë fiskale më tolerante, më frymëdhënëse duke i konsideruar si një prioritet kombëtar.

Por fatkeqësisht ky kryeministër, kjo maxhorancë nuk e kanë prioritet as kulturën, as artin dhe aq më pak edukimin përmes tyre. Në tetë vite qeverisje 2013-2021 buxheti për Ministrinë e Kulturës ka qenë pothuaj i pandryshueshëm duke zënë një mesatare konstante 0.68 ~ 0,7% të buxhetit të shtetit duke u radhitur e fundit për nga vlera e buxhetit e saj në krahasim me ministritë e linjës. Krahasuar me vendet e rajonit jemi larg po të risjellim në vëmendje se buxhetin për artin dhe kulturën Republika e Serbisë e ka 3% të buxhetit vjetor ose 112 mln € / Republika e Maqedonisë së Veriut , 3% të buxhetit vjetor – 69 mln € / Republika e Kosovës 43 mln € , ndërkohë Shqipëria e theksoj e ka buxhetin për artin dhe kulturën 0.68 ~ 0,7% të buxhetit të shtetit.

Kjo është e vërteta e pamohueshme, se cili është vendi real që ka kultura dhe arti në vizionin qeverisës të Edi Ramës, çdo gjë tjetër që keni dëgjuar si: “qytetarët e së ardhmes”, “Shqipëri e re”, “edukimi i të brezi të ri artistësh” është vetëm propagandë për të mbuluar standartin e vjedhjes së votave me të cilin fatkeqësisht do qeveriset Shqipëria.

Exit mobile version