Kryeministri në krye të kartelit më të rrezikshëm të drogës në Evropë

Kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi ashpër dje pas show-t mediatik të Rama-Tahirit në lidhje me efektivët e policisë të rënë në krye të detyrës, ndërsa hodhi akuza të forta për lidhjet e ngushta të Ministrisë së Brendshme me krimin. Përmes një reagimi në Facebook, Basha deklaron se, veshja e krimit me pushtet nga Rama është sot përdhosja dhe nëpërkëmbja më e rëndë që i bëhet të rënëve të policisë.
“Policia, burrat dhe gratë në uniformë që luftojnë krimin dhe dëshmorët e rënë në krye të detyrës, nuk kanë nevojë për fasada, për ceremoni, për shfaqje. Burrat dhe gratë në uniformë, të rënët në detyrë, respektohen, duke luftuar krimin, duke luftuar trafikantët, duke luftuar drogën.
Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve, nëpërkëmben e përdhosen çdo ditë nga një ministër i lidhur me bandat e trafikut të drogës në vend, nga një ministër që makinën e tij private e kthen në narkotaksi për Habilajt, nga një ministër që mbajti Shullazin mbi ligjin për 3 vjet, derisa ndërhynë partnerët, që negocion privatisht në zyrën e shtetit me vrasës me pagesë, nga një ministër që prish hetimet për trafikantët, duke djegur provat në laborator e duke zbuluar hetimet në media për llogari te krimit”, thekson kreu i PD.
Basha thekson se, sot Shqipëria sundohet nga droga dhe krimi, ndërsa qeveria ka krijuar në vend kartelin më të rrezikshëm të drogës në Europë.
“Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve, nëpërkëmben e përdhosen çdo ditë nga një kryeministër që futi në Parlament trafikantë e tutorë prostitutash, vrasës e njerëz me precedentë penalë. Nga një kryeministër që fshehu urdhrin e ekstradimit për vrasësin e komisar Dritan Lamajt, që i ofroi atij arratinë, shpëtimin nga drejtësia. Nga një kryeministër që mban Eskobarin e Ballkanit, që pasi e ka bërë drejtor të transportit e mbron edhe nga aksioni ndërkombëtar për kapjen e tij. Një kryeministër, që ka krijuar kartelin më të rrezikshëm të drogës në Evropë, që ndërton edhe pista avionësh për narkotrafikun”, thekson Basha.
Kreu i PD tha se, vetëm largimi me çdo kusht i Ramës dhe kartelit të tij të drogës mund të rikthejë sërish rendin dhe sigurinë në vend.
“Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve nëpërkëmben e përdhosen çdo ditë nga Edi Rama, që krimin e ka veshur me pushtet e pushtetin e ka veshur me krim.
Nderi dhe dinjiteti i policisë, respekti i të rënëve në krye të detyrës, në luftë me krimin është sot në duart e shqiptarëve. Shqiptarët kanë në dorë të kthejnë rendin, sigurinë, respektin ndaj policisë, duke hequr krimin nga pushteti. Duke larguar me çdo kusht kartelin e drogës. Policia më mirë pa Edi Ramën. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha në reagimin e tij.

Exit mobile version