Kryeministri shqiptar u mbylli gojën dje me arrogancë, gazetarët e Kosovës i bëjnë sot publikisht pyetjet Ramës

Gazetarët e Kosovës i kanë zbuluar sot, pyetjet që nuk iu lejuan dje qëllimisht, nga Kryeministri Edi Rama, t’ia drejtonin kancelares gjermane Angela Merkele në Tiranë.

Drejtuesja e emisionit “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Dori Daka, i ka kërkuar sot kreut të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ta bëjë publike sot atë pyetje që Rama me arrogancë i refuzoi ta bënin në konferencën e përbashkët.

Dhe Rexha e zbuloi: “Pyetja do të bëhej natyrisht për “Open Ballkan”. Të gjithë do të donin të kishin një përgjigje më të drejtpërdrejtë të zonjës Merkel nëse e përkrah. Kemi parë tituj dhe raportime të ndryshme që zonja Merkel thotë se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, që është kundër “Open Ballkan”, por edhe tituj të tjerë që thonë se zonja Merkel është e hapur për “Open Ballkan” dhe e përkrah si iniciativë.

Pyetja absolute ndaj Kryeministrit Rama në fakt është pse vazhdon ta mbrojë kaq shumë “Open Ballkan”, si është e mundur?”, vërejti gazetari Rexha.

Gazetarja Dori Daka e trajtoi nga të gjitha këndvështrimet këtë incident në emisionin e sotëm të “Kafe Shqeto” e nxitur nga reagimet e kolegëve nga Kosova, që qenë të menjëhershme.

Me një sy më ashpër, foli përveç kreut të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, edhe zonja Flutura Kusari, juriste për media, që theksoi se takimi ishte “multilateral”.

Xhemalj Rexha tha: “Ne të gjithë e pamë atë që ndodhi. Janë disa protokolle që i kemi parasysh kur ka vizita të tilla të rëndësishme me liderë botërorë. Duhen ndjekur, por ajo që kemi parë është se konferenca ka zgjatur 40 minuta dhe është e qartë se në mënyrë të qëllimshme zoti Rama ka shmangur gazetarët nga Kosova të cilët kanë dashur të bëjnë pyetje. Gazetarët nga Kosova kanë dashur të bëjnë pyetje për zonjën Merkel, të kishin një qëndrim më të drejtpërdrejt, më eksplicit për raportin midis Kosovës dhe Serbisë meqë është hera e e fundit që vjen këtu, ta dëgjonin nga ajo sa e rëndësishme është që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës; atë që ajo e ka thënë në Beograd e që dihet se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur pavarësinë e Kosovës, por natyrisht kolegët tanë, ishin gjashtë të tillë, nuk prisnin që secili prej tyre të merrte fjalën. Jam i sigurt se ata do të koordinoheshin, që njeri prej tyre t’i përmblidhte të gjitha pyetjet duke respektuar kohën dhe protokollin.

Duke qenë një takim rajonal dhe Kosova absolutisht është çështje shumë e rëndësishme e këtij takimi edhe për shkak të qendrimit që mban ndaj “Open Ballkan”, duhej nga Kryeministri Rama, protokolli i tij, që të lejohej njëri prej gazetarëve të Kosovës të merrte fjalën.”

Kurse zonja Kusari tha: “Nuk ishte hera e parë. Ndonëse është një incident i vogël, e shpërfaq qasjen që Edi Rama, Partia Socialiste e ka në raport me mediat që nga koha kur ata e kanë  marrë pushtetin. Ajo çfarë pamë ne dje është ajo që i ndodh shqiptarëve në Shqipëri çdo ditë. Kemi një qeveri që ua pamundëson gazetarëve të bëjnë pyetje, një qeveri që nuk jep llogari dhe rrjedhimisht publiku mbetet i painformuar. Takimi dje nuk ishte bilateral, ishte multilateral,  kishte kryeministra dhe nga shtete të tjera, ishte takim ku Kosova specifikisht u përmend në atë takim dhe Gjermania luan rol kyç në politikën e gjithë rajonit. Pra gazetarët me të drejtë kishin pyetje që ishin në interes të publikut të Kosovës lidhur me qasjen e zonjës Merkel karshi Kosovës por edhe qasjen e Ramës.

Protokollin e cakton Rama normalisht në bashkëpunim me stafin e Merkel. Kurrgjë nuk do t’i kushtonte Ramës sikur t’i ndante disa minuta jo vetëm për gazetarët e Kosovës, por ‘ti mblidhte pyetjet nga të gjithë aty dhe shkurtimisht t’i përgjigjej. Pra ishte çështje e mungesës së vullnetit dhe kjo e ka një arsye: Rama vazhdimisht insiston që të kontrollojë narrativën dhe ai e dinte se gazetarët e Kosovës do të ishin të lirë të bënin çfarëdo pyetjeje dhe kjo ishte diçka që ai qartësisht nuk është në favor dhe ndaj i censuroi ata.”

Daka: Cila ishte do të ishte pyetja që mendoni se do ta vinte në vështirësi zotin Rama, që do ta bënin dje dhe mund ta bëni sot?

Rexha: Nëse mund t’ia përcillni… Në Tiranë ishin 6 kolegë të mediave të ndryshme të Kosovës.

Pyetja do të bëhej natyrisht për “Open Ballkan”. Të gjithë do ta bënin por të gjithë do të donin të kishin një përgjigje më të drejtpërdrejtë të zonjës Merkel, nëse e përkrah. Kemi parë tituj dhe raportime të ndryshme që zonja Merkel thotë se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet , që është kundër “Open Ballkan”, por edhe tituj të tjerë që thonë se zonja Merkel është e hapur për “Open Ballkan” dhe e përkrah si inciiativë. Pyetja absolute ndaj Kryeministrit Rama në fakt është pse vazhdon ta mbrojë kaq shumë “Open Ballkan”, si është e mundur?”/ar.sh/SYRI.NET

Artikulli paraprakSabiha Kasimati, shkencëtarja e parë zonjë!
Artikulli tjetër“Nuk jemi skllevër të teknologjisë, por padronët e saj”