Kryeministrit i duhet treguar kavalli!

Luan RAMA

Pasi e cilësoi Akademinë e Shkencave agjenci funerali, pasi mediat e vendit të vet që e pasqyrojnë atë ditë për ditë e deri në neveri i quajti kazan, kryeministri ynë mblodhi Senatin e Universitetit të Tiranës për t’jua thënë në sy që “jeni bishti i fundit i kavallit”!
Teksa e dëgjova këtë “krahasim” e shikoja senatorët e universitetit tonë që dëgjonin gojëhapur ekselencën e tij, zotin Kryeministër, mendova se qe një lapsus e jo lajthitje shprehja “bishti i fundit i kavallit”, të cilën senatorët tanë universitarë nuk e vunë re, se helbete, si profesorë me një barrë mend, kishin nivelin e bisedës tek drynët e bravat e dyerve të tyre!
Mirëpo, kur të njëjtin “krahasim”, i përndritshmi ynë Kryeministër e përsëriti edhe në sallën e Kuvendit në përpjekje për të ironizuar opozitën, u duk qartë se nuk ishte më një lapsus, që gjithkujt mund t’i ndodhë, po ishte lajthitje!
Sepse shprehja popullore nuk është “bishti i fundit i kavallit” siç e tha Kryeministri, por vrima e fundit e kavallit, siç e thotë populli, që i referohet kavallit si instrument popullor, i ngjashëm me fyellin, por më i gjatë e me më shumë vrima.
Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, kavalli është fyell i madh me tytë prej druri dhe me gojëz në trajtë sqepi.
E për të mos lënë shteg për ndonjë paqartësi, po i shpjegojmë zotit Kryeministër se çfarë është fylli, që të kuptojë më mirë edhe kavallin.
Fyelli është vegël muzikore si gyp i hollë e i gjatë, prej druri a prej metali e me disa vrima, së cilës i bien duke i fryrë me gojë.
Pra, edhe fyelli, edhe kavalli janë instrumenta muzikorë popullorë të së njëjtës familje, si gyp i hollë e i gjatë, gjithnjë bosh nga brenda, me të vetmin ndryshim që kavalli është fyell më i madh ose më i gjatë dhe ka më shumë vrima.
Referuar formës së tyre e faktit që nga brenda janë bosh, mënçuria popullore na ka dhënë një mori shprehjesh frazeologjike që shpesh herë perdoren si krahasim, ndër to ka edhe me tone ironizuese, stigmatizuese e shpesh herë edhe tallëse, si përshembull: shtati pyll e mendja fyell!
Për koherencë me terminologjinë e kryeministrit, meqë ai përdori kavallin, po ju sjell në vëmendje edhe një shprehje tjetër: bjeri kavallit!
Por që i përndritshmi ynë kryeministër të mos gabojë herë tjetër e të mos thotë “bishti i fundit i kavallit” në vend të “vrima e fundit e kavallit” i duhet treguar kavalli!

Artikulli paraprakLSI: Shqipëria digjet, Rama krihet
Artikulli tjetërNoka: Vettingu të nisë nga Fatmir Xhafa