Kryengritja antikomuniste e Postribës/ Basha: Një tragjedi që jehon edhe sot! Është një thirrje patriotike për rezistencë

Nga Lulzim BASHA

75 vite më parë, Postriba hyri kryelartë në histori përmes gjakut dhe guximit të qindra patriotëve, intelektualëve, klerikëve të të gjithë besimeve, të cilët i dhanë jetë kryengritjes së parë antikomuniste në Europën e ndarë nga perdja e hekurt.

Kjo shkëndijë e parë e rezistencës kundër regjimit gjakatar që u instalua dhunshëm në vend, shkërmoqi sigurinë e pushtetit antishqiptar duke sfiduar frikën dhe propagandën mashtruese që fliste në emër të një populli që në fakt po rebelohej, e që ndezi shpresën e një fundi të shpejtë të klikës uzurpuese.

Heronjtë e Postribës ngritën krye në emër të asaj çka ishte dhe mbetet e shenjtë për çdo shqiptar: liria dhe orientimi drejt vlerave perëndimore.

Malësorëve martirë nuk u duhej të prisnin gjatë për të kuptuar se regjimi që sapo kishte hedhur kthetrat mbi Shqipërinë, po hapte kapitullin më të errët të historisë tonë. Ata njerëz fisnikë e dinin dhe e ndjenin në çdo ind të tyre, se asgjë e mirë nuk mund të vinte për kombin nga mohimi i vlerave themelore që, edhe në kohët më të vështira, kanë shënuar jetëgjatësinë ndër shekuj të popullit shqiptar.

Ky manifestim i lartë guximi, kjo kryengritje për lirinë e atdheut që tundi themelet e regjimit komunist, u shtyp me dhunën më brutale nga frika e gjakatarëve se liria që frymonte bashkë me luftëtarët e saj, nuk do të zhdukej nga ky vend.

Dhuna shtazarake që ra me vërtik për të shuar çdo përpjekje për demokraci, shënoi fillimin e një kalvari të gjatë vrasjesh dhe vuajtjesh, që nuk kursyen as gra e fëmijë. Terrori i egër do të shkretonte familje të tëra, përfshirë ato të Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit e Abdullah Sahitit, patriotët që i prinë asaj kryengritjeje heroike.
Vetëm në ditët e para togat e zeza komuniste pushkatuan pa gjyq 28 vetë. Masakra nuk u zhvillua vetëm në Postribë, por edhe në Shkodër, Pukë, Malësi të Madhe dhe në Mirditë.

Një tragjedi që jehon edhe sot, por kurrë sa akti i ndritur i rezistencës i atyre që dhanë jetën për lirinë. Sepse ajo që historia na mëson është se regjimet dhe falangat e tyre bien të damkosura, ndërsa ata që luftuan për liri, përjetësohen dhe lënë gjurmë mbi të cilat hedhin hapat e tyre brezat, që me mirënjohje përkujtojnë sakrificat e të parëve, duke ruajtur në thellësite e zemrave të tyre një vend të shenjtë për të gjithë ata që dhanë jetët e tyre të çmuara.

Ndaj, me nderim dhe mirënjohje përkulemi sot para kryengritësve të Postribës, të përkushtuar ndaj vlerave për të cilat ata sakrifikuan aq shumë, për më tepër kur 75 vite më vonë, një perde e re e hekurt e ka ndarë Shqipërinë nga kombet perëndimore. Një hije, e cila vjen prej një regjimi që ka mjete të ndryshme por qëllime të njëjta me atë të së shkuarës, po e pengon vendin tonë të jetë pjesë e familjes europiane. Një regjim që godet demokracinë, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, i cili është sa produkt i forcave të errëta të shoqërisë, aq edhe produkt i përballjes të pamjaftueshme me të kaluarën, që u lejoi pasardhësve të xhelatëve të hedhin pluhur mbi historinë e të restaurojnë një model që e kthen pas Shqipërinë.

Kjo përpjekje tinëzare, që shkon në kundërshtim me idealet e martirëve të Postribës dhe po ashtu me aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për një Shqipëri europiane, është një thirrje patriotike për rezistencë, për t’u përballur, për të mos lejuar asnjë regjim të pengojë aspiratën e një populli të tërë për të gëzuar të njëjtën liri, të njëjtën demokraci, të njëjtën mirëqenie që gëzojnë popujt e Bashkimit Europian.

Lavdi përjetë heronjve të Postribës!

Exit mobile version