Kryengritje ndaj mafias, beteja nuk ndalet

Mijëra protestues, qytetarë të thjeshtë, të djathtë e të majtë, burra, gra e të rinj iu bashkuan thirrjeve të opozitës për të protestuar kundër emërimit antikushtetues të kryeprokurorit të ri. Teksa pritej që të niste seanca plenare, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga opozita e bashkuar e gjithë zona përballë Parlamentit u mbush me protestues. “Demokracia në rrezik”, “Prokurori i Habiljave nuk do të zgjidhet”, “Rama ik”, “Vettingu ka vdekur”, “Edi Rama dhunoi Kushtetutën”, “Qeveria= klikë mafioze”, “Krimi ka kapur qeverinë”, ishin këto disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit. Rama ishte kujdesur që të blindonte zonën e Parlamentit me një kordon të gjatë policie. Por teksa jashtë protestuesit po bënin thirrje për anulimin e procesit të votimit për zgjedhjen e kryeprokurorit, brenda në Parlament mazhoranca nisi me kokëfortësinë e numrave të votave, që në fakt nuk i kishte, procesin e gjymtuar të votimit.
Situata jashtë sallës së Parlamentit ndiqte direkt zhvillimet në seancë. Tensioni i parë i mijëra protestuesve erdhi menjëherë, pasi ish-Kryeministri Berisha nuk u lejua të flasë dhe u pengua nga gardistët. Kjo ka sjellë irritim në rradhët e protestuesve. Dukej se situata po tensionohej jo vetëm brenda sallës së Parlamentit, por edhe jashtë saj nga arroganca e treguar në sallën e Parlamentit nga Rama dhe banda e tij e Gardës. Ndërkohë deputetë të shumtë i drejtoheshin protestuesve me thirrjet për të mos lejuar kapjen e Kryeprokurorit nga mafia Rama. Në podiumin e ngritur përpara hyrjes në Parlament kanë marrë fjalën deputetë e PD dhe ata të LSI. Në një nga këto fjalime, Kryetarja e LSI ju drejtua protestuesve me thirrjet “ne para, ju prapa”. Kjo ka mjaftuar që qindra dhe mijëra protestues të marshojnë drejt Parlamentit, por jo me dhunë. Kjo ka sjellë konfrontimin e parë mes protestuesve dhe mijëra forcave policore që qëndronin në mbrojtje të Ramës. Gardhi i parë i policëve ka mundur të thyhet, por më pas numri i shtuar i forcave të policisë është shtuar dhe kjo ka sjellë edhe tërheqjen e protestuesve.
Ndërsa seanca në Parlament tensionohej dhe kulmi arriti në votimin për Kryeprokuroren e Përkohshme, menjëherë një grup deputetësh të PD kanë dalë para protestuesve. Pas fjalës së tyre bashkë me ta kanë shkuar në drejtim të Parlamentit edhe mijërat e protestuesve. Kjo ka qenë një përballje force dhe protestuesit pa dhunë kanë mundur të çajnë kordonët e policisë deri në brezin e parafundit, kur kanë mbërritur në mënyrë të shpejtë Forcat Speciale, të cilët të ndihmuar edhe nga forca të tjera policore të shumta kanë mundur që të zmbrapsin edhe kësaj rradhe protestuesit.

Protesta edhe në Parlament

Protestuesit tentuan gjatë kohës që në Parlament do të votoheshin projektligjet e rendit të ditës të hynin në Parlament. Në përfundim të seancës, opozita deklaroi se incidentet e djeshme në Kuvend janë pasqyra më e mirë se me këtë qeveri nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi dhe qeverisje. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Berisha bëri thirrje që opozita të djegë mandatet për t’iu drejtuar popullit. Nuk munguan incidentet e dhunës mes policisë dhe protestuesve. Të paktën tre raste u raportuan në media. Një burrë u gjakos dhe një grua humbi ndjenjat, deputetja e LSI u dhunua. Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi denoncoi dhunën e policisë ndaj protestuesve. Ndërkohë që protestuesit hodhën tymuese në oborrin e Parlamentit, aksioni u koordinua dhe brenda foltores. Deputetët e PD-së hodhën disa tymuese me ngjyra gjatë kohës që po votohej kryeprokurorja e re. Arta Marku u zgjodh si pasuese e Adriatik Llallës me mbështetjen e plotë të Kryeministrit Rama dhe PS-së. Ajo mori 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime.

Rama urdhëroi Gardën kundër Berishës

Me urdhër të Ramës dhe në mënyrë të paprecedent, Garda e Republikës dje në Parlament në një akt të pashembullt tentoi të dhunonte ish-Kryeministrin Berisha. Ndërkohë që protestuesit thërrisnin jashtë rrethimit të Kuvendit “Qeveri e drogës, qeveri e krimit”, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se zgjedhja e kryeprokurorit të ri nuk do të shtyhej. Ish-Kryeministri Sali Berisha, u ngrit menjëherë të merrte fjalën në foltore, por kordoni i Gardës së Republikës nuk e lejoi Berishën të fliste teksa u përpoq ta shtynte atë. Deputetët e opozitës u konfrontuan me Gardën. Pas konfliktit Berisha mori fjalën dhe tha: “Një kryehorr, një pispisi, një fundërrinë që do sot të bëhet kryeprokuror, fut Gardën në mënyrë të pashembullt për të ndërprerë të drejtën e fjalës që e mora në përputhje të plotë me procedurën. Me këtë akt shpall luftë në Parlament! Na shpallën luftë, i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë. Kaq kisha!”, tha Berisha. Pas tij fjalën e morën Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Dy krerët e partive opozitare i bën thirrje mazhorancës të ndalte procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, pasi sipas tyre ky është fundi i Reformës në Drejtësi. Në Parlament pati një përplasje të dytë mes Gardës dhe kreut të PD-së. Pas këtij momenti, opozita braktisi sallën dhe iu drejtua protestuesve.

 

Exit mobile version