Një luftë e ashpër po zhvillohet në heshtje mes Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Gjithçka ka nisur disa javë më parë gjatë prezantimit të drejtuesve të policisë në qarqe dhe komisariate, për të marrë vendimin final në lidhje me ngjarjen e ndodhur para dyerve të SPAK dhe GJKKO me mbështetësit e Veliajt.
Thuajse 3 javë më parë, ministri Ervin Hoxha thirri shefat e komisariateve në një takim bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ilir Proda.
Takimi kishte si qëllim njohjen nga afër të shefave të rinj të komisariateve dhe dhënien e porosive që të zbatonin vetëm ligjin dhe të tregonin kujdes për shkak se situata është e vështirë e tensionuar, pasi vendi ndodhet para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Por mesa duket, kjo nuk i ka pëlqyer Ilir Prodës, i cili ka shpërthyer ndaj ministrit, duke u thënë vartësve: “Nuk duhet ta dëgjoni, pasi janë dengla politike”. Hoxha e ka menaxhuar me qetësi këtë moment, por, sipas burimeve, ia ka përcjellë shqetësimin kryeministrit Edi Rama.
Pas këtij momenti, komunikimi mes Hoxhës dhe Prodës është ndërprerë, por pas ankesës së SPAK dhe GJKKO për mosreagimin e policisë gjatë protestës në mbështetje të Erjon Veliajt, Hoxha ka kërkuar që përgjegjësinë ta mbajë Proda, sepse është ai personi përgjegjës që duhej të kishte marrë masa.
Zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ilir Proda, u shoqërua me debate, ndërkohë që telefoni i tij ndodhet ende në SPAK, pasi Prokuroria e Posaçme po heton për dekonspirimin e një aksioni policor në Elbasan në kohën kur Proda drejtonte këtë komisariat.
Me dinamiken e re të zhvillimeve të drejtësisë (por edhe ato të politikës), duket se Edi Ramës i takon të menaxhojë edhe një tjetër krizë të brendshme, e cila reflektohet në qasjen e policisë ndaj qytetarëve, por edhe në zgjedhjet e ardhshme të 11 majit. Mesa duket, betejat e brendshme dhe aleancat me “të fortët” tashmë janë në garë për influencën e tyre në qeverisje dhe zgjedhjet e ardhshme./vna.al