Kryetari i Kuvendit të Iranit, Ali Larijani ka anuluar takimin me ministrin e Ekonomisë së Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
Gabriel ishte paraparë që të takohej me Larijanin dje në Teheran, ku ai po zhvillon disa takime së bashku me një delegacion të përfaqësuesve të biznesit, me qëllim që të rindërtojnë marrëdhëniet me Iranin, pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Por Larijani ka anuluar takimin në momentin e fundit pa dhënë ndonjë shpjegim, ka thënë një zëdhënës i ministrit Gabriel.
Ky zhvillim vjen pasi ministri gjerman kishte folur për reformat e ndërmarra nga Presidenti iranian, Hassan Rohani duke thënë se, “alternativa e qeverisë aktuale është kthimin në kohën e konfrontimit të madh”.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar Teheranin që të pranojë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe që të dyja shtetet duhet të normalizojnë marrëdhëniet.