Kryepleqtë në Qarkun e Shkodrës janë shprehur se do të dorëzojnë vulat, pasi sipas tyre, nuk mund të kthehen në roje fushash e malesh, për të parë se kush kultivon kanabis sativa. Sipas tyre, kanbisi mbillet nga njerëz të fuqishëm dhe ata ndjehen të rrezikuar nëse u afrohen këtyre parcelave. “Nëse më duhet të dal të kontrolloj fushat, unë e dorëzoj që tani vulën”, shprehet një nga kryepleqtë e veriut. Drejtuesit e policisë u shprehën se, është ligji ai që kërkon masa të tilla, pasi territori që administrojnë është përgjegjesi e kryepleqve.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Bashkinë Shkodër me përfaqësues të Policisë së Shtetit, kryebashkiakia Voltana Ademi kërkoi nga policia që të ndajë detyra të qarta dhe të lajmërojë në kohë për çdo rast apo plan veprimi, i cili duhet të jetë i përbashkët. “Bashkia Shkodër kërkon që në të gjithë krehjen e territorit apo inspektimin që bëhet në territor, grupet e përbashkëta të punës të punojnë në territor”, u shpreh Ademi.
Mbjellja e kanabisit ka filluar prej disa ditësh në të gjithë vendin. Trafikantët bashkëpunojnë me policinë për mbjelljen e plantacioneve me kanabis. Ky fakt i ka detyruar kryepleqtë që të dorëzojnë vulat, pasi mjaft prej tyre janë kërcënuar nga trafikantët.
Policia ka bërë të ditur se po kontrollon në sera, magazina e objekte të mbyllura, por në mjaft zona ku ka plantacione të mbjella me kanabis, policia nuk ka ushtruar kontrolle, pasi trafikantët që kultivojnë kanabisin kanë lidhje me zyrtarët e policisë.
Ditën e djeshme, policia ka zbuluar dy parcela me kanabis në Krujë. Bëhet e ditur se, në vendin e quajtur ana jugore e kodrës së Verjonit, Nikël, Krujë, në dy parcela janë gjetur të kultivuara 300 bimë Cannabis Sattiva. Ndërkohë, në zonat e thella të Krujës janë me dhjetëra parcela të mbjella me kanabis, por policia nuk guxon të afrohet, sepse ato janë mbjellë nga njerëzit e kreut të Bashkisë në bashkëpunim me zyrtarët e policisë.