Zbulohen të tjera fakte të përplasjes së Policisë së Rrëshenit me atë të Lezhës para ndërhyrjes në operacionin për bllokimin e fabrikës me 7 tonë drogë. Bëhet e ditur se, shefi i Komisariatit të Mirditës, Ben Curri ka urdhëruar vartësit që të mbrojnë me armë fabrikën e drogës në Rrëshen dhe për këtë arsye policët e tij jo vetëm që nuk kanë marrë pjesë në operacion, por janë konfliktuar me policët e Lezhës gati sa të përdornin armët. Denoncimi i këtij skandali të rëndë është bërë nga një oficer i Policisë së Lezhës, që ka marrë pjesë në këtë operacion, i cili i ka dërguar një mesazh ish-Kryeministrit Berisha.
“Oficeri dixhital i Antidrogës denoncon: Trafikantin Ben Curri, shef i Komisariatit të Mirditës, i cili bëri gjithçka të bllokonte qoftë dhe me armë operacionin në fabrikën e drogës në Rrëshen të Ndrec Dedës dhe Kastriot Reçit.
– Trafikantin Erzen Cera, që i tërbuar nga suksesi i operacionit, me një gjuhë banditi njoftonte ndëshkimet për ata që duhet të dekoroheshin për veprën e tyre. sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të Policisë së Lezhës.
“Përshëndetje z.Berisha, unë që po të shkruaj jam njëri nga oficerët e drogës në Lezhë, të cilët kemi bërë ndërhyrjen në magazinën e drogës në Rrëshen, pasi jemi konfliktuar me Policinë e Mirditës dhe kryesisht me shefin e Komisariatit të Mirditës, Ben Curri sa edhe na është kërkuar të tërhiqemi nga operacioni, duke na kërcënuar, por ne nuk u tërhoqëm. Do përdoreshin armët! Sot jemi kërkuar në mbledhje nga zv/drejtori i Qarkut, Erzen Cera dhe me një gjuhë urrejtjeje janë komunikuar lëvizjet e shefave të seksionit dhe të sektorit. Mesa duket kërcënimet e Ben Currit po zbatohen nga Erzen Cera… Të përshëndes z. Berisha dhe do ju lutesha për privatësinë”, përfundon mesazhi i oficerit të Policisë së Lezhës.
Pse nuk mori pjesë në operacion Policia e Rrëshenit
Mediat kanë shkruajtur se Policia e Rrëshenit jo vetëm që nuk mori pjesë në aksion, por tentoi të mos lejonte edhe Policinë e Lezhës për të sekuestruar drogën. Përplasja mes policëve të Rrëshenit dhe atyre të Lezhës ka degjeneruar deri në sharje të rënda dhe gati sa nuk u përdorën armët. Më pas, kanë ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA për të bërë të mundur bllokimin e fabrikës së drogës dhe sekuestrimin e 7 tonë kanabis, që ishte gati për t’u trafikuar. Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit.
Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda dhe drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër Komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, ndërsa pjesë e këtij grupi të rëndësishëm përveç kryetarit të Bashkisë ishte edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Lazder Beci. Fabrika monitorohej edhe nga policia vendore.
Policia kërkon të shpallë pronar një të vdekur
Pas dështimit të mbrojtjes së drogës, Policia e Mirditës po kërkon të shpallë pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen një të vdekur për të shpëtuar pronarin e vërtetë të saj. Denoncimi u bë nga një qytetar, i cili para tre ditësh iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital informon: Një akt i shëmtuar i mafies së drogës. Duan që të shpallin pronar të fabrikës së drogës në Rrëshen, me falsifikime, të vdekurin për të shpëtuar pronarin e vërtetë, Kastriot Reçin që fshihet nga Kryetari i Bashkisë, i cili i kërcënon se do dëshmojë për të gjitha lidhjet e bandës shtetërore me fabrikën! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e qytetarit.
“Mirëmëngjes doktor! Për nipin e Zef Brozit, Kastriot Reçi, pronari i magazinave, pushtetarët dhe policia po tentojnë që kontratën e qirasë së magazinave të drogës në Rrëshen t’ia kalojnë në emër të djalit që u vra në qender të qytetit, Sajmir Jaku (klani Ndrec Dedës, ish-drejtor i OSHEE për Veriun). Pra, po tentohet t’i lihet atij që nuk është më në jetë”, shkruan qytetari.
Ndonëse ka kaluar një javë nga bllokimi i 7 tonë drogë në një magazinë në Rrëshen që ndodhej në mes të qytetit, policia nuk ka arrestuar asnjë nga pronarët e vërtetë të drogës, por vetëm disa punëtorë. Burime nga policia, por edhe banorët bënë të ditur se, droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të policisë. Fabrika e përpunimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe ruhej nga persona të armatosur. Pronar i fabrikës ishte Kastriot Preng Reçi, i cili sipas policisë është shpallur në kërkim.
R.POLISI