Kryeprokurorja e Ramës në shërbim në interesave të grupeve kriminale

Dritan Gina, ish-drejtues i Prokurorisë së Elbasanit kallëzoi dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku. Në kallëzimin prej 15 faqesh, Gina argumenton se numri një i akuzës ka shpërdoruar detyrën me vendimin për t’i ndërprerë komandimin si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në dalje nga Krimet e Rënda, Dritan Gina hodhi përsëri akuza të forta, mbi mënyrën se si po funksion Prokuroria e Përgjithshme.
Gina deklaroi se, Marku dhe institucioni i Prokurorisë po përdoren politikisht. “Pas një presioni dhe përndjekje dyjavore të ushtruar ndaj bashkëshortes sime, Rovena Gashi, drejtoreshë e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pas paraqitjes në datën 08.01.2018, në Gjykatën Administrative, të padisë ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, kjo e fundit në shenjë hakmarrje, kundrejt një sulmi dhe shantazhi të drejtpërdrejtë, të ushtuar gjatë gjithë ditës së martë, në datën 09.01.2018 në orën 15:20, më ka njoftuar me shkrim Urdhërin Nr.13 datë 09.01.2018 “Për ndërprerjen e komandimit”, shkruhet në kallzimin penal.

Akt administrativ i pavlefshëm

Duke e quajtur urdhrin akt administrativ të pavlefshëm, Gina thotë se nuk është i detyruar ta zbatojë. “Duke qenë se ky urdhër është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë asnjë pasojë juridike ligjore, unë kallzuesi Dritan Gina, Prokuror i Republikës së Shqipërisë, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Elbasan, në përputhje me përcaktimet e nenit 47 të Ligjit Nr.97/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë», jo vetëm që nuk jam i detyruar t’a zbatoj atë, por edhe kam të drejtë të bëj kallëzim penal ndaj personit që e ka nxjerrë këtë urdhër, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, për konsumimin e veprës penale të «Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për këto arsye;
Urdhëri me Nr.13 datë 09.01.2018 i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme të Republikës së Shqipërisë është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas parashikimeve të neneve 115 germa «a», 116 dhe 117 të Kodit të Procedurës Administrative”, thuhet më tej.

Si nisi shantazhi

“Përsa i përket veprimeve kriminale të kryera gjatë konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e të kallzuarës, analizojmë si më poshtë: Në datën 09.01.2018, që në mëngjes, filloi presioni dhe shantazhi nga ana e strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme, të urdhëruara prej Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, drejtuar kallzuesit Dritan Gina, me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Elbasan, me qëllim për t’a detyruar atë të largohet nga vendi i punës, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë akt të shkruar e të arsyetuar në lidhje me motivet e këtij urdhëri. Më pas, gjatë mëngjesit të datës 09.01.2018, në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, u publikua njoftimi për shtyp, në lidhje me shkarkimin e kallzuesit nga detyra e Drejtuesit të Prokurorisë Elbasan”, shkruhet në kallzim.

Marku shpërdoron detyrën për interesa të ngushta të grupeve kriminale

Gina rendit 5 argumentet kundër Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. “Asnjë funksionar publik e për më tepër, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, nuk mund t’ia lejojë vetes që të shpërdorojë detyrën për interesat e ngushta të një grupi të kriminalizuar, me qëllimin e vetëm të përfitimit të pozitave të qëndrueshme nesër apo përfitimin pasuror të paligjshëm sot, nga abuzimi me pushtetin dhe caktimi i miqve në krye të organeve drejtuese të Prokurorisë.
Rritja e besimit të publikut tek organi i akuzës, nuk bëhet duke dëgjuar dhe zbatuar verbërisht urdhërat e bandave kriminale dhe të përkrahësve të tyre me pushtet, të cilëve, zbatimi i ligjit nga prokurorë të ndërgjegjshëm, i prishi pazaret e drogës dhe, as duke vënë «Shokët» në postet drejtuese, e erresuar nga ngutshmëria që imponon nxjerrja e përfitimit maksimal, brenda kohës së shkurtër, gjatë së cilës, në mënyrë të turpshme, e kallzuara do të qëndrojë në detyrë”, thuhet në kallzim.

Kërkesë për ekspertim psikiatriko ligjor

“Duke vlerësuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direke dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit dhe me veprime kaq të hapura urdhërash politike, hakmarrëse dhe shantazhuese në dëm, jo vetëm të funksionarëve të shtetit të emëruar në detyrë në mënyrë të ligjshme, por edhe në dëm të vetë interesave të ligjshme të shtetit, nuk mund të kryhen nga ana e një personi të përgjegjshëm, kërkojmë që, në përputhje me përcaktimet e nenit 44 të K.Pr.Penale, pas regjistrimit të këtij kallzimi, nga ana e prokurorëve të çështjes të urdhërohet kryerja e një ekspertimi psikiatriko ligjor, me qëllim për të verifikuar gjendjen mendore të të kallzuarës”, thuhet në padinë ndaj Markut.
Në kallzimin penal Gina kërkon procedim penal ndaj Arta Markut për shpërdorim detyre, kërkon pezullimin e ushtrimit të detyrës publike për të kallëzuarën Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme si dhe dëmshpërblim.
Më herët, një padi kundër Markut kishte bërë edhe drejtuesja e Njësisë së Dekriminalizimit, Rovena Gashi, bashkëshorte e prokurorit Gina.

R.POLISI

Artikulli paraprakMjekët e infermierët e Lezhës lënë spitalin për fjalimin e Ramës
Artikulli tjetërBannon humbet financimet, jep dorëheqjen