Kryetari i Degës së PD në Britani: Koha për bashkim

– “RD”: Zoti Hasani, ju jeni kryetar i degës më të madhe të PD-së në emigracion, sikurse është Dega e PD-së Britani e Madhe, dhe ishit në krye të fushatës në një zonë mjaft demokrate në Shqipëri. Po ashtu, jeni edhe avokati më i njohur në komunitetin shqiptar në Britani, me një formim dhe orientim tërësisht perëndimor. Si e ndoqët situatën në vend dhe cilat ishin konstatimet?
Naim Hasani: Ju falënderoj për këtë bisedë të lirë, në një situatë tejet të rëndësishme për të gjithë dhe sidomos për demokratët, anëtarët e PD-së dhe atyre që gjithnjë kanë qenë në krye të herës me të gjitha angazhimet. Shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të thellë për të gjithë ata që punuan natë e ditë që t’i jepnin fitoren Partisë Demokratike, të zgjedhurve të listës Basha në Malësi të Madhe dhe Shkodër, për drejtuesit e strukturave, pra për kandidatët e listës, ata aleatë që iu përgjigjën sinqerisht koalicionit, për komisionerët dhe numëruesit besnikë që nuk u tunduan nga matrapazët e sistemit, për të rinjtë energjikë dhe të papërtuar, për gratë dhe burrat që besuan te Republika e re, si dhe për miqtë e të njohurit që na u gjendën pranë. Për të gjithë ata demokratë që lanë rehatinë dhe punët në Britani të Madhe dhe ndihmuan në proces me gjithë shpirt e zemër.

– Pra, ju shprehni mirënjohje se i ndoqët nga afër? Dhe e patë vetë angazhimin e tyre?
Jo kaq thjesht. Unë i njoh tashmë mjaft të tillë dhe kisha komunikim me ta. Mjaft të tjerë nuk kursyen telefonatat dhe rrjetet sociale për të bërë thirrje të hapura në drejtim të të afërmve dhe miqve në Atdhe. Po kështu që mirënjohja ime shkon gjithashtu për gjithë demokratët që i rezistuan dhe nuk e shitën idealin dhe dinjitetin e tyre për pesë aspra te binomi kriminal shtet-mafie që për mendimin tim deformoi me një strategji të hollë e të heshtur votën e lirë, në dobi të një sistemi dështak dhe pa program.

– Atëherë Shkodra dhe Malësia e Madhe dhanë rezultat disi fitues, por jo dhe aq sa pritej?
Unë isha i ftuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga z. Basha të jepja kontributin tim në ndihmë të fushatës së Partisë Demokratike në Shkodër dhe Malësi të Madhe dhe isha shumë i lumtur që merrja pjesë për të parën herë në një fushatë elektorale në Shqipëri, pas 20 vitesh larg vendit tim ku kam lindur dhe jam rritur. Mendoj se ndoshta do të ishte e pamundur të ruhej dhe mandati fitimtar, i pesti, që kishim në Shkodër në këtë situatë të paprecedentë nëse nuk do të kishim ndihmën e bashkatdhetarëve nga Britania, shumë prej të cilëve janë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe.
Meritojnë falënderim të veçantë zonat me rezultatin më të mirë se të tjerët, bastionet e forta demokratike. Përfitoj nga rasti të shpreh gjithashtu neverinë time më të thellë për të gjithë atë kategori njerëzish që trafikuan votën për interesa meskine, që u shitën për disa lekë, një thes miell apo edhe që ranë viktimë e gënjeshtrave për një vend pune në bashki apo në shtet apo që nga varfëria menduan se përfitimi material i çastit ishte më i rëndësishëm se e ardhmja e fëmijëve të tyre.

– Atëherë kishte problem alternativa e Bashës?
Jo, kurrsesi. Basha ishte kryefjala dhe isha i lumtur se PD ishte ballëhapur që luftonte dhe ofronte program konkret qeverisës dhe qytetarët ishin të interesuar për alternativën tonë. Ndiej trishtim kur kujtoj se sa të interesuar ishin njerëzit të dëgjonin dhe vlerësonin programin dhe alternativën e opozitës, por që nuk u përkthye në vota për PD në rezultatin përfundimtar. (Partitë e tjera nuk kishin program, vetëm bejte e llogje pa peshë). Dhe kështu ndihej dhe turpi i sajuar e ku njerëzit na e pohonin se nëse nuk kemi paguar nuk ke shanse për të fituar. A na kërkuan para? Kjo ishte evidente, shumë zona të varfra në qytete dhe fshatrat e qarkut tonë. Gjithsesi ne duhet ta mirëkuptojmë votuesin dhe jo ta anatemojmë atë. Varfëria ndjell edhe mashtrim dhe dëshirë për përfitim të rastit me shpresën për të mbijetuar.

– Atëherë si duhet vepruar, si mendoni ju?
Që të fitojmë herë tjetër, nuk mjafton vetëm autorregullimi i PD apo shtim zërash për ikjen e Bashës apo dhe mirëfunksionimi i PD, por duhet të goditet mu në zemër binomi mafioz shtet-krim dhe të gjendet gjuha me disa që e shohin PD si lopën e tyre, vetëm për ta mjelur. Nëse kjo nuk ndodh dhe nuk vihet interesi qytetar para interesit personal dhe shpirti për liri dhe demokraci pa komplekse, edhe zgjedhjet e tjera do të prodhojnë të njëjtin rezultat me vota të tjetërsuara, administratë të trembur ku nuk ke punë nëse nuk dorëzon votën dhe provon që e ke dorëzuar, biznese nën presion dhe blegtorë e fermerë të terrorizuar për heqjen e kullotave e subvencioneve. PD do të reformohet, kjo është e sigurt dhe do të ringrihet për të qeverisur shqiptarët. Po shtetin kush do ta ndajë nga mafia dhe krimi i organizuar?! Kjo është çështja, nëse duam vërtet zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Po ashtu unë mendoj se Partia Demokratike duhet të jetë pararojë e përfshirjes së diasporës në vendimmarrje dhe përfaqësim të drejtpërdrejtë në politikëbërje, si shtresa më e pakorruptuar dhe më influente në ekonominë e qytetarëve të thjeshtë që votojnë në zgjedhje, edhe nëse nuk është i mundur për momentin votimi elektronik dhe përfshirja e diasporës në votime. Duke parë vendin ku jetojnë, edukimin dhe frymën perëndimore, vota e tyre merr një rëndësi të veçantë se ajo as nuk mund të shitet e as nuk mund të blihet. Partia Demokratike dhe veçanërisht z. Basha kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për ringritjen dhe funksionimin e Degës së PD në Britani, të cilën unë e drejtoj që nga 23 janari 2017, kur unë u zgjodha kryetar nga demokratët, nëpërmjet një votimi të drejtpërdrejtë, demokratik dhe të pakontestueshëm, shembull për të gjithë politikën shqiptare.

– Atëherë për ata që disi ndenjtën larg në këtë fushatë…
Për ata që nuk punuan asnjë ditë në fushatë, që punuan kundër apo bojkotuan me mospjesëmarrje në zgjedhje, fjala është brenda strukturave të PD-së, unë ndjej një keqardhje të jashtëzakonshme sepse nuk mund të vish në pushtet e bërë karrierë duke u fshehur mbas muri dhe duke futur shkopinj ndër rrota karvanit që marshon drejt fitores së demokracisë, por duke u bërë pjesë aktive dhe deçizive e në mënyrë ballore, duke luftuar me mish e me shpirt për idealet e Partisë Demokratike, të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zoti Basha bëri një fushatë thuajse i vetëm dhe luftoi me mish e me shpirt me një fushatë tejet të qytetëruar dhe perëndimore, e denjë për një vend si Britania, por që ndoshta nuk u kuptua ose lexua mirë nga një pjesë e shqiptarëve që janë mësuar me politikën e zhurmës dhe retorikës boshe. Dega e PD Britani e Madhe qëndron me z. Basha dhe e mbështet totalisht atë dhe jam bindur se qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit do t’i ofrohet një opozitë e fortë dhe ballore si asnjëherë tjetër, që nuk do ta lerë asnjëherë të qetë e do t’i kërkojë llogari, dhe do të ekspozojë nga koka në këmbë të gjithë maskaradën e shëmtuar të mekanizmit primitiv të blerjes së votës.

Intervistoi: Fatmir TERZIU

Exit mobile version