Bashkia e Kavajës ka hapur një procedurë prokurimi për marrjen e një makine me qira, por skandali në këtë tender është pikërisht vlera e lartë e tij, e cila kap shifrën 40 milionë lekë. Bashkinë e Kavajës e udhëheq për momentin Elvis Rroshi, i cili po hetohet edhe për dekriminalizimin.
Sipas dokumentit që mund të shihni më poshtë, Rroshi do të shpenzojë plot 40 milionë lekë të vjetra për marrjen e një automjeti 4X4 me qira për dy vjet. Në dokument thuhet se objekti i kontratës është “Marrje mjeti me qira dhe fondi limit pa TVSH është 4.000.000 lekë”. Më pas vijohet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është dy muaj. Ky tender do të bëhet më 20 maj 2016.
Mësohet se kërkohet një fuoristradë 4X4 ku motori do të jetë 4400 kubikësh i modelit V8. Mjeti do të jetë pasagjerësh me timon në krah të majtë dhe pesë vendesh. Të dhënat e tjera janë që fuqia të jetë deri në 240 kuaj fuqi, ndërsa suspensionet të jenë me ajër me nivelim. Shpejtësia maksimale e automjetit duhet të jetë deri në 210 km/h, ndërsa disqet duhet të jenë alumini. Konsumi i karburantit (ekstra urban) të jetë 8.2 litra në 100 km dhe kapaciteti i serbatorit të jetë maksimumi 100 litra. Pesha e mjetit të jetë minimumi 2.710 kg dhe pesha e tërheqjes maksimumi 3.500 kg. Në këto dokumente është e specifikuar se volumi i bagazhit duhet të jetë minimumi 535 litra.
Ndërkohë, dokumenti vijon se mjeti duhet të jetë ngjyrë e zezë metalike, sedilje lëkure, sistem navigacioni, telekamera e pasme, sensor parkimi para-mbrapa, sistemi i shkarkimit me bimarmida, shkallë elektrike. Sediljet para dhe pas me ngrohje, pasqyra elektrike me palosje, xhamat e pasim të errësuar, sedilja e shoferit të jetë elektrike me memorie, sedilja e pasagjerit elektrike. Mjeti, sipas dokumenteve, duhet të ketë sistem të frenimit ABS, përshtatës i terreneve me 4 opsione, fenerë adaptive, fenerë xenon led, sistemi i amortizimit me ajër (ulje-ngritje), sistemi i sigurisë HDC, disqe alumini, mbyllje qendrore dhe alarm volumetrik. Këto nuk janë të dhënat e një reklame, por janë marrë nga dokumentet e tenderit, ku duket se Rroshi e ka gjetur më parë automjetin dhe tashmë pret vetëm që të paguajë 40 milionë lekët për ta marrë dhe për të lëvizur, shkruan “BN”.
Disa ditë më parë, kreu i Bashkisë së Kavajës dorëzoi edhe formularin e dekriminalizimit, ku shkroi se ishte përzënë nga Gjermania, por nuk mbante mend arsyen e dëbimit. Më pas, Prokuroria njoftoi se do të verifikonte të kaluarën e këtij zyrtari vendor, duke ftuar të gjitha agjencitë ligjzbatuese që të dorëzojnë informacione në Prokurori.