Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një foto të kryetarit të PS Kavajë, Gentian Daja, duke drekuar me dy trafikantët e drogës të arrestuar nga policia mbrëmjen e të enjtes, pasi u kapën me kokainë në makinën e tij. Fotografia i është dërguar Berishës nga një qytetar nga Kavaja pas kapjes së drogës në makinën e kryetarit të PS të këtij qyteti, Gentian Daja. Qytetari përgënjeshtron mediat pranë Ramës se, gjoja makina ku u kap droga nuk është pronë e kreut të PS. Ai shkruan në mesazhin e tij dërguar Berishës se, makina është e Gentian Dajës, por është regjistruar në emrin e shoferit të tij.
“Qytetari dixhital përgënjeshtron mediat: Tregon të vërtetën për makinën e Gentian Dajës, që u kap mbrëmë me kokainë. Dërgon dhe foton, në të cilën Gentian Daja po drekon me të dy bashkëpunëtorët e tij që u arrestuan nga Antidroga në makinën e tij, pasi u gjetën me kokainë!”, shkruan Berisha.
“Mirëmëngjes doktor. Për informacion dhe për të përgënjeshtruar gazetarët dhe halabakët e ‘rilindjes’. ‘Audi’ i kapur mbrëmë është pronë e Gentian Dajës, por për arsye që dihen nuk e ka regjistruar në emrin e tij personal, por në emër të shoferit të tij personal dhe të familjes, i cili quhet Bledar Qerosi, i cili ka qenë dhe shofer i Kuvendit në shërbim të ish-deputetit socialist”, shkruan qytetari nga Kavaja.
“Përshëndetje z. Berisha, në këtë foto Gentian Daja me dy djemtë që u kapen sot me kokainë, Rem Shabani dhe Redi Duka”, shkruan një qytetar tjetër.
Mbrëmjen e të enjtes, policia e Antidrogës sekuestroi një sasi kokaine në makinën e kryetarit të PS Kavajë, Gentian Daja dhe vuri në pranga dy trafikantët. Aksioni është kryer nga Forcat e Posaçme Operacionale të Tiranës. Sipas burimeve të policisë, të arrestuarit janë Ramadan Shabani, 28 vjeç dhe Enred Duka, 28 vjeç, të dy nga Kavaja. Bëhet e ditur se dy personat e arrestuar kanë qenë në kërkim nga policia për trafik droge. Shabani dhe Duka kanë masë sigurie arrest me burg nga Gjykata e Kavajës dhe ishin në kërkim nga policia prej disa kohësh.
Ditën e djeshme, ish-Kryeministri Berisha publikoi një mesazh të dërguar në adresë të tij nga një qytetar nga Kavaja, i cili shkruante se në makinën e kreut të PS është kapur kokainë. Qytetari i shkruan Berishës se, makina e Gentian Dajës, tip “Audi” me targa AA202NO drejtohet nga Shabani, i cili është mik i ngushtë i Gentian Dajës. “Në makinën e Gentian Dajës, kryetarit të partisë së krimit në Kavajë, Antidroga kap kokainë. Lexoni mesazhin, shikoni fotot e qytetarit dixhital!”, shkruante Berisha.
“Doktor, lajm i fundit në Kavajë. Rem Shabani kapet me kokainë nga forcat e rendit teksa lëvizte me makinën e kreut të PS, Gentian Daja. Makina e Gentian Dajës, ‘Audi’ me targa AA202NO drejtohet nga Shabani, i cili është mik i ngushtë i Gentian Dajës. Fotot më poshtë janë bërë sot pas aksionit ku u gjet drogë në makinën e kreut të PS”, shkruan qytetari.
Gentian Daja, njeriu në krye të PS-së së Kavajës, ka qënë i dënuar për trafik droge në Itali. Ai propozoi bashkëshorten e tij si kandidate për Bashkinë e Kavajës, por pas presionit të qytetarëve, Rama urdhëroi bashkëshorten e tij që të tërhiqej nga kandidimi. Gentian Daja u shpreh se ka dhënë dhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së për t’ia lënë vendin Ervis Roshit, por pas dorëhqejs së gruas së tij nga kandidimi u kthye sërish në krye të PS të Kavajës.