Në këtë 25-vjetor të saj, Partia Socialiste duket se ka arritur në pikën më të ulët të saj. Skandalet e qeverisë kanë infektuar edhe partinë e anasjelltas. Letra e publikuar dy ditë më parë nga deputeti Vladimir Kosta ku hidheshin akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Arben Ahmetaj duket se ka gjetur mbështetjen edhe në bazë. Një reagim i fortë mund të quhet edhe ai që ka postuar në rrjetin e saj në Facebook, kryetarja e të rinjve eurosocialistë të Shkodrës, Xheni Halili. Duket se ajo ka një llogari personale me Arben Ahmetajn dhe për këtë ajo ka gjetur veten e saj tek fjalët e artikuluara në letrën e Vladimir Kostës. “Nuk më tërhoqi asnjë fjalë e thurur bukur aq shumë sa mbiemri Ahmetaj. Po the Ahmetaj i ke thënë të gjitha”, e fillon kështu reagimin e saj kryetarja e FRESSH-it të Shkodrës, ndërsa për të, ministri i Financave, Arben Ahmetaj është një palaço. “Palaçoja i PS e shumë të tjerë si ai. Unë besoj se Partia Socialiste për të cilën iu bashkova Betejës, kam ecur me kokën lart, sepse i kam ditur kufijtë e mi, dhe aq sa kam premtu kam ba (kam dëshmitarë kur kam premtu) do Luftoj shumë për të, se kur them ia dalim dhe fitojmë”, shkruan Xheni Halili, por nuk e mbyll me kaq. Ajo është aq e bezdisur dhe e neveritur nga prania e Ahmetajt në PS saqë bën edhe një premtim burrneshash: “Ne ia dalim dhe fitojmë, por nqs Ahmetaj e disa palaço si ai janë prapë më 2017, fjalë burrneshash: Unë, Xheni Halili, Heq Dorë! Unë TërhiqemM! S’asht Ky Ideali Jem, S’ash Kjo Partia Jeme!”.