Kryqëzohet Niang

Rikthimi në atë stadium që e bëri të famshëm ishte i hidhur për Vinçenco Montelën si trajner i Milanit, sepse teksa kishte mundësinë ta “pushtonte”, në fund e pa veten të mposhtur, në një ndeshje të mbushur me pengje të mëdha. Disfata 1-0 ishte dyfish e hidhur, sepse pas penalltisë së humbur të Niangut, e cila mund të kishte rezultuar decizive, kuqezinjtë shkëputen me tri pikë nga Roma dhe i lëshojnë vendin e dytë.
“Me përjashtim të 20 minutave të para ku taktikisht na bllokuan, ne e morëm menjëherë veten dhe madje u treguam aq të rrezikshëm, sa patëm mundësinë për të kaluar në avantazh. Niangu është goditësi i penalltive? Përpara ndeshjes po bisedoja me lojtarët e mi dhe u thashë se goditësi i parë i penalltive do të ishte sërish Niang, sepse i gjuan vërtet mirë. Ndërsa i dyti ishte Lapadula. Më vjen keq për Mbajenë, sepse është një djalë i shkëlqyer dhe një gabim i tillë mund të qëndrojë. Fundja, penalltitë i gabon ai që i merr përsipër që t’i gjuajë, askush tjetër, nënvizon Montela, i cili, duke i kujtuar gabimet e shumta të francezit, “aeroplani” e merr me ironi. A do të vazhdojë Niang që t’i godasë penalltitë? Statistikat i keni ju. Kështu që do të mendohem dhe që ju të mos mërziteni, ndoshta nuk do t’i gjuajë më ai”.
Në lidhje me skuadrën, e cila u pa pak e lodhur në fund, trajneri i Milanit shtoi: “Zëvendësimet mund të jenë dukur pak të nxituara, por e vërteta është që Lapadula dhe Bertolaçi shpenzuan shumë. Ata bënë një ndeshje vërtet të mirë, por në fund nuk po i punonin gjunjët siç duhen. Më vjen keq, sepse mora sërish sinjale pozitive nga ekipi. Tani ky Milan di si ta kërkojë fitoren, por lodhja bëri të veten dhe mbi të gjitha Roma nuk e meritoi fitoren. Thjesht Naingolan gjeti atë gol fantastik dhe na ndëshkoi”.
Mbaje Niang kërkon falje dhe ndoshta edhe dorëzohet për të qenë goditësi i parë i penalltive. “Për mendimin tim bëmë një ndeshje mjaft të mirë, por isha unë ai që e tradhtova skuadrën. Po jetoj një moment të vështirë, por ndoshta gabova duke marrë përsipër përgjegjësinë për të goditur penalltinë.
Edhe në këtë rast gjërat më ecën keq, por nuk duhet kurrsesi të demoralizohem dhe do të vazhdoj të punoj psikologjikisht për të dalë nga kjo situatë. Lapadula ma kërkoi penalltinë? Jo, këtë herë ai më karikoi përpara se ta gjuaja, tregoi besim, por unë e zhgënjeva atë dhe skuadrën. Prandaj, penalltinë e radhës do t’ia lejoj atij që ta godasë, sepse e meriton më shumë sesa unë”.

Exit mobile version