“Kryqëzohet” Pogba

Paul Pogba zhgënjen në debutim. Në takimin mes Francës dhe Rumanisë, e gjitha bota i kishte sytë tek ylli i Juventusit, duke shpresuar se debutimi i tij në Europian do të ishte i paharrueshëm. Vëmendja e mediave franceze ishte e fokusuar e gjitha tek 23-vjeçari. Gazeta “L’Equipe”, faqen e saj të parë e hapte me mbishkrimin “Pogba shkruaj historinë”. Por mesfushori për të cilin ekipe si Reali i Madridit, PSG e shumë të tjera janë të gatshëm të shpenzojnë shuma marramendëse, nuk arriti dot të jepte më të mirën e tij. Forma e dobët ka bërë që tifozët e Gjelave të shpërthejnë në reagime negative në drejtim të Pogba.
Disa prej tyre shprehen, se mesfushori nuk e meriton besimin që i është dhënë. Disa të tjerë kanë deklaruar se shuma 120 milionë euro e ofruar për të pasur në dispozicion shërbimet e francezit është e tepruar. Ndoshta vëmendja e madhe në drejtim të Pogba, ka ndikuar negativisht tek performanca e tij, pasi mesfushori  mund të jetë ndjerë nën presion sepse rreth aftësive të tij teknike, të paktë janë ata që mund të kenë dyshime. Sidoqoftë tifozët e Kombëtares së Shqipërisë duhet të kënaqen ndaj këtij fakti, pasi me një Pogba në formë të tillë, kuqezinjtë mund të fitojnë më shumë duele në mesfushë për të shpresuar në një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Grupit A.
Didier Deschamps kërkon që heroi i skuadrës së Francës në ndeshjen me Rumaninë, Dimitri Payet, të qëndrojë me këmbë në tokë. Në konferencën e shtypit pas sfidës, trajneri i bluve e pranon se sulmuesi i West Ham zhvilloi një ndeshje perfekte dhe goli i fitores e emocionoi.
“Emocionet ishin të mëdha për të, pasi ka bërë një rrugë të gjatë për një kohë të shkurtër. Do të përpiqem ta bëj të qëndrojë me këmbë në tokë. Përsa i përket ndeshjes, mund të them se, Rumania luajti hapur, pasi nuk kishte asgjë për të humbur, ndërsa ne po. Ndeshja u komplikua nga Rumania dhe për 20 apo 25 minuta ne kaluam momente të vështira. Ndeshja hapëse ngjan përherë me një finale, por unë jam i kënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës. Edhe pse jo gjithçka ishte perfekte, e rëndësishme është fitorja që na jep shumë besim për të ardhmen”, u shpreh Deschamps.
Në krahun tjetër, trajneri Iordanescu qan rastet e humbura nga skuadra e tij. “Luajtëm një ndeshje shumë të mirë, ku të dyja skuadrat u përballën si të barabarta. E nisëm takimin në mënyrë të jashtëzakonshme dhe krijuam disa raste që lojtarët duhej t’i shfrytëzonin. Nëse do ta kishim bërë, ndeshja do të ndryshonte. Stancu kishte një rast të pastër edhe në fillimin e pjesës së dytë, por për fat të keq nuk arriti të shënonte. Gjithsesi, përgëzoj lojtarët e mi, pasi ndoqën në detaje këshillat që u kisha dhënë. Të dhemb shumë kur e humbet ndeshjen në minutën e 89, por e theksoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë”, përfundoi trajneri i Francës.

Artikulli paraprakMesi i lumtur për 3 golat: Motivim për sfidat e tjera
Artikulli tjetërBenzema e ndoqi Francën nga shtëpia