KSHH: Dyshime pas përjashtimit të 20 mijë familjeve nga ndihma

Procesi i përjashtimit të rreth 20 mijë familjeve nga skema e ndihmës ekonomike duhet të ishte kryer në mënyrë transparente dhe qytetarët duhet të ishin informuar për kriteret e largimit. Në këtë qëndrim ka dalë Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke i sygjeruar institucioneve shtetërore përkatëse që të tregojnë më tepër transparencë për t’i dhënë përgjigje të saktë, me argumente bindëse dhe ligjore çdo ankuesi.
“Duke pasur parasysh që grupet vulnerabël, shtresat në nevojë, personat me paaftësi preken nga këto përjashtime, gjykojmë që ky proces duhet të ishte më transparent në mënyrë të veçantë nga ana e institucioneve publike shtetërore, të cilat duhet të kishin dhënë argumente bindëse lidhur me kriteret për përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike”, thotë Andi Muratej, avokat pranë KShH. Për ekspertët e KShH, në kushtet e vendit tonë, përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e bën edhe më të vështirë mbijetesën e familjeve të varfëra. Nga ana tjetër, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik, ku përfshihen të ardhurat për të mbijetuar, si nevojat për ushqim, veshje, strehim dhe kudjes shëndetësor.
“Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike i shtetasve bëhet edhe më problematik kur kemi parasysh që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka të përcaktuar minimumin jetik.

Minimumi jetik është sasia minimale e të ardhurave që ka nevojë një individ për të plotësuar nevojat e tij më themelore. Sipas një studimi të Avokatit të Popullit të bërë në vitin 2015 rezultoi se, për këtë vit, minimumi jetik për një shtetas që të përmbushë nevojat e tij themelore ishte 160 mijë lekë të vjetra”, shprehet Muratej.
Avokati pranë KShH-së, Andi Muratej, thotë se në këtë drejtim, Shqipëria ka shënuar regres, pasi jo vetëm që nuk ka zbatuar detyrimet ligjore që përcaktojnë konventat ndërkombëtare për përcaktimin e minimumit jetik, por edhe e ka shfuqizuar një përcaktim të tillë nga Ligji i Sigurimeve Shoqërore, duke i hequr kështu Këshillit të Ministrave detyrimin ligjor për përcaktimin dhe miratimin e minimumit jetik.
“Minimumi jetik është një detyrim që buron indirekt nga aktet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka ratifikuar. Në këtë drejtim, Shqipëria ka regres, pasi aktualisht edhe parashikimet ligjore që parashikonin detyrimin e institucioneve qendrore për të përcaktuar minimumin jetik mungojnë. Është shfuqizuar detyrimi ligjor që kishin organet përkatëse, konkretisht Këshilli i Ministrave, për të përcaktuar një minimum jetik për shtresat në nevojë”, thotë Muratej.
Mungesa e minimumit jetik ka bërë që shumë familje të varfëra të sigurojnë jetesën përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme në kazanët e mbeturinave, duke mbetur kështu jo vetëm peng i varfërisë, por edhe i diskriminimit.

Exit mobile version