Kancelarja po përfiton tani nga një politikë, kundër së cilës ajo gjithnjë ka luftuar në nivel evropian. Por kjo do ta ndihmojë pak partinë e saj në zgjedhjet për parlamentet e landeve, mendon Christoph Hasselbach.
Në fakt, Angela Merkeli duhet të bënte gjithçka që kufiri midis Maqedonisë dhe Greqisë të hapej sërish për refugjatët. Dhe po të mos arrihej kjo, ajo duhej t’i merrte refugjatët direkt nga Greqia në Gjermani. Sepse situata e sotme është mjaft e krahasueshme me atë të shtatorit, kur mijëra vetë mbetën të bllokuar në Hungari dhe të cilët Merkeli i pranoi në Gjermani, duke i anashkaluar rregullat e BE.
Kancelarja i ka projektuar me këmbëngulje në opinionin publik parimet e saj:
– Në rastin e kërkesave për azil nuk ka kufi maksimal
– Gardhet nuk ndihmojnë
– Duhet një zgjidhje evropiane me një shpërndarje të refugjatëve
Ata që vepruan ishin të tjerë
Në Bruksel ajo e izoloi veten me këtë qëndrim, në një kohë kur vërshimi i refugjatëve vazhdoi. Por dikur, disa qeveri evropiane konstatuan se u teprua. “Më mirë është që të veprojmë të veçuar, se të rrimë së bashku duarkryq”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban. Austria shpalli kufirin e saj maksimal të pranimit të refugjatëve. Pastaj, disa anëtarë të BE dhe disa shtete ballkanike u mblodhën bashkë dhe sollën mbylljen e kufirit midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Ky hap përfaqëson të kundërtën e gjithçkaje që ka mbrojtur gjithmonë Merkeli. Por që atëherë kanë rënë edhe shifrat e refugjatëve, që duan të vijnë në Gjermani. Pikërisht kjo është që donte të arrinte Merkeli me zgjidhjen e saj “evropiane”, por suksesi nuk u duk gjëkundi.
Në vend të fotografive selfie me refugjatët, tani ka këshilla të Kancelares për njerëzit në kufi, që hë për hë të qendrojnë në Greqi. Askush nuk ka të drejtë që ta zgjedhë vetë vendin se ku duhet të paraqesë kërkesën për azil, tha Merkeli. Para pak javësh, ajo tha papritur edhe se pret prej refugjatëve sirianë në Gjermani, që të kthehen në atdhe, kur atje të ketë sërish paqe. Po pse nevojitet atëherë integrimi?- pyesin që prej atëherë ata që angazhohen për integrimin duke bërë sakrifica të mëdha.
Ajo nuk do që ta kapin
Zëvendëkancelari Sigmar Gabriel tashmë e ka deklaruar se kthesa ka kohë që ka ardhur. Kjo në një kohë kur në rastin e tij nuk e di kurrë, si i duket atij kjo, e mirë apo e keqe dhe se cili do të jetë pozicioni i tij një javë më vonë. Një kthesë konstaton edhe Horst Seehofer, i cili ka kohë që përpiqet për të. Kurse në rastin e vetë Merkelit ke përshtypjen se ajo bën të gjitha përpjekjet që të mos e kapin, duke e ndryshuar kursin. Por pavarësisht, nëse ajo e pranon apo jo: është pikërisht politika, të cilën ajo e ka refuzuar si jo morale, të pazbatueshme dhe të dëmshme për Evropën, e cila tani po sjell një lloj shtensionimi të gjendjes. Nëse kthesa e fshehtë e Merkelit do t’i hyjë në punë CDU në tri zgjedhjet në lande të dielën e ardhshme, për këtë mund të dyshohet. Çdo zgjedhje që bëhet është për momentin krejtësisht një votim për politikën ndaj refugjatëve të qeverisë gjermane. Kështu ishte edhe në zgjedhjet e djeshme komunale në Hessen: CDU dhe SPD, pra partitë që qeverisin së bashku në nivel federal, humbën mjaft, kurse AfD populiste e djathtë u bë që herën e parë, kur mori pjesë në zgjedhje partia e tretë për nga votat. Vendimi i zgjedhësve pra mund të interpretohet edhe kështu: po të kishte pasur Merkeli sukses në BE me politikën e saj, shifrat e refugjatëve do të qenë po kaq të larta sa në vjeshtë.