Kthimi i Berishës, tri pikë për Atalantën

Një autogol i mbrojtësit Izzo në minutën e 36-të të takimit i mjaftoi Romës për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në transfertën e vështirë me Genoan. Verdhekuqtë e menaxhuan me zgjuarsi këtë avantazh në “Luggi Ferraris”, madje në kohën shtesë u desh një mrekulli e Szczesny për t’i mohuar pikën Genoas, për rezultatin përfundimtar 0-1.
Në “Olimpico” të Romës, Lazio shpërdoroi shumë raste, madje humbi edhe një 11-metërsh në minutën e 31-të me Lucas Biglian, por në fund arriti të merrte tri pikët përballë Crotones, falë golit të Ciro Immobiles në minutën e fundit të ndeshjes. Një pasiguri e mbrojtjes mike në largimin e topit nga zona i dha mundësinë sulmuesit italian të shënonte një gol të thjeshtë, por me shumë peshë, pasi u vlejti tri pikë skuadrës bardhekaltër.
Rikthimi titullar i Etrit Berishës pas një mungese të gjatë për arsye dëmtimi i solli fat Atalantës, që fitoi thellë 1-4 në fushën e Chievos. Në Verona gjithçka u vendos që në pjesën e parë, me bergamaskët që shënuan tri herë në portën vendase. Alehandro Gomez realizoi dy gola të shpejtë për miqtë në minutat 4 dhe 23, ndërsa Andrea Conti i çoi shifrat në 0-3 para se skuadrat t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes.
Në minutën e 62-të Pelliesier, në pozicion të dyshimtë në marrjen e topit, përfitoi edhe nga dalja e pastudiuar mirë e Berishës duke shkurtuar përkohësisht diferencën, pasi Freauler pak minuta më vonë vulosi fitoren bindëse të Atalantës.
Ndërkohë sfida mes Sassuolos dhe Torinos përfundoi në barazim pa gola, takim gjatë të cilit Arlind Ajeti qëndroi gjatë gjithë kohës në stolin e rezervave.
Carlos Bacca shpëton nderin e Milanin në sfidën e shtëpisë me Cagliarin, që u mbyll 1-0 për kuqezinjtë. Skuadra nga Sardenja rezistoi deri në minutën e 88-të pa pësuar gol, por pikërisht atëherë kur mendohej se kjo përballje do të mbyllej me rrjeta të paprekura doli në skenë sulmuesi kolumbian që shfrytëzoi më së miri këmbëguljen e Lapadulas, duke mos i dhënë asnjë shans portierit mik. Në minutat shtesë Bruno Alves u ndëshkua me karton të kuq pasi i ndërhyri si i fundit Baccas.

Exit mobile version