Kthupi: Pas 11 qershorit s’do ketë më dilema se kush është PD-ja. Ja çfarë kemi propozuar për “Zgjedhoren”

Anëtari i Kryesisë dhe përfaqësuesi Ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, që drejtohet nga Lulzim Basha, Rezart Kthupi i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” foli mbi përçarjen mes demokratëve që vijon prej tre vitesh tashmë.

Ai theksoi se vendimi i gjykatës që pritet të jepet më 11 qershor, do t’i japë fund dhe debatit politik mbi vulën dhe siglat e PD-së.

Nga ana tjetër ai nënvizoi se pavarësisht se PD-ja që ai përfaqëson e ka refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e reformës zgjedhore, u shpreh se PD-ja i ka adresuar tashmë propozimet e saj për Kodin e Ri Zgjedhor.

“Partia Demokratike pas 11 qershorit do të ketë një identitet politik që nuk do të ketë të bëjë më me dilema ligjore dhe ideore. Ne nuk kemi asnjë plan B nëse gjykata vendos që siglat e partisë të mos na jepen neve, pasi jemi të bindur se kjo do të ndodhë.

Propozimet që ne kemi bërë për reformën zgjedhore janë thjesht rekomandimet e adresuara nga OSBE/ODIHR-i që pikësëpari kanë të bëjnë me deformimin e votës së lirë përmes shit-blerjes së votës që u bë në vitin 2021.

Sistemi patronazhimit që kanë bërë këta është një sistem i mirëfilltë i deformimit të votës qoftë edhe për kontrollin dhe intimidimin e zgjedhësve.

Shqetësimi tjetër ka të bëjë me ditën e zgjedhjeve, dhe me atë çfarë me votën e lirë. Dhe ne kemi parë që votimi dhe numërimi elektronik është zgjidhja e kësaj çështjeje.

Ne do të shikojmë se çfarë do të ndodhë në atë tryezë të reformës zgjedhore dhe pastaj do të veprojmë”, u shpreh ndër të tjera Rezart Kthupi.

 

Exit mobile version