Nga Nestor Topençarov
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I DYTË
Ishte data 16 tetor, ditë e shtunë. Pasi u ktheva nga puna atë darkë, punova deri vonë për të suvatuar murin e banjës. Që ta mbaroja, kisha marrë lejë edhe për të nesërmen. Ishte koha e fushatës për mbledhjen e mollëve. Në bujqësi, kur ishte kohë fushate, nuk kishte ditë pushimi. Këtë e jetova edhe shumë vite më vonë, kur punova në Ndërmarrjen Bujqësore “Korça”. Si gjithmonë, gjatë këtyre fushatave organizonin edhe lagjet me pensionistët, nxënësit e shkollave dhe ndërmarrjet.
Për gjithë natën ra shi. Në mëngjes, nga ora 05.00 qarkullonte nëpër qytet makina me altoparlant, që jepte njoftimin se aksioni ishte anuluar për shkak të shiut të madh. Pas pak dëgjoj një të trokitur në derë. Mamaja ishte ngritur që më parë, se që kur na arrestuan babanë, gjumin e bënte copa-copa dhe në mëngjes ngrihej shpejt.
Pasi hapi portën pa shoferin e Degës, i cili i kërkoi të përgatitej, se e kërkonin në Degën e Brendshme. Unë desha ta shoqëroja, por mamaja më ndaloi, meqë kisha punuar deri vonë dhe ishte mirë të çlodhesha. Ajo do të shkonte me Ivanën. U bënë gati, por kur dolën te dera, shoferi ndërroi version e u tha, se më kërkonin mua.
U vesha e u përshëndeta me familjarët. Mamaja donte të me jepte ombrellën, por nuk ia mora, pasi rrugën do ta bëja me makinë dhe kur të kthehesha, do të kaloja nën strehët e çative. Përshëndeta shoferin, por ai ma ktheu vetëm me një: “hyp”, të thatë. Kur makina bëri nja 30-40 metra, ktheva kokën për të parë nga shtëpia. Vura re 5-6 persona që kishin dalë nga rrugica dhe po i drejtoheshin shtëpisë time. E kuptova që do të bëhej një kontroll i ri.
Në asnjë nga kontrollet nuk kisha asistuar. Nuk e di, në qoftë se ka qenë rastësi, apo i programuar. Shtëpinë e kisha në një rrugicë me kalldrëm, rreth 200 metra më lart, se monumenti i “Ushtarit të panjohur”. Sapo “Gaz”-i doli në asfalt, shikoj operativin e qytetit, që i ngriti dorën shoferit. “Gaz”-i ndaloi dhe ai hipi në vendin përpara.
Deri sa makina kaloi Kinema “Moravën”, ai bisedonte me shoferin, për kohën e keqe të asaj nate. Më pas si papritur, ktheu kokën mbrapa dhe si i habitur që më pa aty, më përshëndeti. Kur arritëm përpara Degës, i tha shoferit se do të më shoqëronte ai. Çdo gjë ishte e organizuar.
Në shkallët e pallacinës, më priste Irakli Koçollari. Përshëndetjes sime, iu përgjigj me gjestin që ta ndiqja pas. Kaluam në një korridor të pallacinës dhe hymë në një dhomë të pajisur me një krevat mono, një dollap rrobash, një tavolinë, dy karrige e, mbase dhe ndonjë send tjetër, që nuk më kujtohet. Në këtë ambient, hyja për herë të parë. Ishte dhoma e tij e gjumit.
Në ndryshim nga herët e tjera, këtë mëngjes ishte shumë i vrenjtur. Mendova se ndoshta kish ndikuar edhe fakti që për shkakun tim, kishte prishur gjumin herët. Më mbajti në këmbë. Si dukej donte të mbaronte punë shpejt me mua e, pastaj të pushonte.
Më pyeti:
– “Çfarë ke për të thënë”?
– “Asgjë që mund të të interesojë, për askënd”, – ishte përgjigja ime.
Më pa gjithë inat duke shtuar, se këtu nuk flitej për të tjerët, por për mua. Me një zë të egër, më kërkoi të flisja për veprimtarinë time armiqësore. Pasi mori përgjigje negative, më tha se do të më fuste në burg.
Habitem edhe tani, pas 46 viteve, se si këto fjalë, nuk më bënë asnjë përshtypje. Momenti më i vështirë që kisha kaluar, ishte nata e parë pa babanë. Mbase ishin vuajtjet e asaj nate që më bënë të fortë, për të përballuar vështirësitë që do të më ofronte jeta. Ndoshta jo jeta, por diktatura.
– “Jam gati”, – i thashë.
Pasoi heqja e rripit të pantallonave, lidhëset e këpucëve dhe orës së dorës. Pasi kreva këto veprime, ai bëri një telefonatë dhe pas pak u paraqit një polic, të cilin e urdhëroi të më vinte prangat. I zgjata duart, por ai më tha se duhej t’i ktheja nga pas e, t’i bashkoja kurriz më kurriz. Pasi më vuri hekurat, polici më shoqëroi nëpër një korridor, e më pas zbritëm shkallët që të çonin në katin e nëndheshëm.
Aty u hapën disa dyer me shufra hekuri. Në një korridor të madh, ishte një polic i ri që bënte roje. Ky korridor ishte i rrethuar me mjaft dyer, që ishin ato të birucave. Këto dyer kishin një shul të bllokuar nga një çelës. Në një lartësi rreth 1.6 metra, kishin një sportel, që ishte i mbyllur me llamarinë. Morëm drejtimin në një nga këto dyer, para së cilës vura re një palë opinga prej lëkure viçi, ngjyrë kafe të çelur. Polici pasi më hoqi hekurat, më urdhëroi të lija këpucët në korridor dhe pasi hapi derën e qelisë, më futi brenda.
Biruca ishte e vogël, gjysmë e errët. Ishte rreth 2.5 metra e gjatë dhe 1.5 metra e gjerë. Tre të katërtat e saj, ishin nën tokë. Nga ana e brendshme e derës, te sporteli i mbyllur me llamarinë, kishte një rrjetë të dendur prej teli, e cila kishte në qendër një vrimë. Më pas mora vesh, që shërbente për ndezjen e cigares. Në murin sipër derës, afër tavanit, ishte një kamare e vogël, me brinjë rreth 10-12 cm.
Brenda saj ishte një llambë me një dritë të dobët, që rrinte ndezur ditë natë. Nga ana jonë, ishte e izoluar me një rrjetë teli dhe hekura të trashë. Në murin përballë derës, në lartësinë e tavanit, kishte një dritare rreth 30 cm. e gjerë dhe 25 cm. e lartë, nga e cila gjatë ditës hynte fare pak dritë, pasi edhe kjo, përveç hekurave dhe rrjetës, kishte edhe një kapak llamarine, nga ana e jashtme.
Në fillim ju bëra përshkrimin e kësaj qelie, që do të bëhej banesa e ime, për tetë muaj. Periudhën e fundit, prej një muaj e gjysmë, e kalova në dy kaushe të ndryshëm. Në qeli ose birucë, kam qenë pjesën më të madhe të kohës, vetë i dytë, i tretë, por në momente të veçanta edhe vetë i katërt. Në përgjithësi këtu mbanin të pandehurit, gjatë hetuesisë, e deri sa të merrnin dënimin përfundimtar. Më pas të dënuarit i transferonin në kaush. Kaushi ishte një dhomë e madhe me kapacitet 15-20 vetë. Aty zakonisht ishin të burgosur ordinerë, për krime të lehta, dhe pjesa tjetër të dënuar, që prisnin auto-burgun.
Momentin e parë që hyra në qeli, mezi dallova një hije. Më pas, pak e nga pak, sytë m’u mësuan dhe m’u qartësua figura e mëparshme. Ishte një djalë i ri, rreth të tridhjetave, kokëqethur, me një fizik të zhvilluar. Më përshëndeti dhe më ftoi të ulesha. Për fat të mirë, biruca ishte me dysheme druri. Dyshek nuk kishim, vetëm nga dy batanije, që nuk dihej prej sa kohe përdoreshin dhe që besoj se nuk ishin larë ndonjëherë.
Kur i palosnim, që të uleshim gjatë ditës, duhej të bënim kujdes se të mbyste pluhuri. Pas pak ai djalë u prezantua. Quhej Josif dhe ishte nga Tirana. Më tregoi se kishte tentuar të arratisej dhe e kishin kapur nga fshatrat e Bilishtit. Ndërsa unë i tregova, që më akuzonin për armik, pa ditur përse. I shpreha pafajësinë time dhe shpresën, që pasi të sqarohej çdo gjë, do të më lironin.
Besoja ende te drejtësia. Ai buzëqeshi hidhur, duke më thënë se po të arrestoheshe me akuza politike, ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të liroheshe. Në qoftë se brenda 72 orëve, nuk të lironin, do të dënoheshe. Më dukej absurde, por shpejt kuptova të vërtetën e këtyre fjalëve.
Diku nga mesdita, hapet porta e birucës. Polici më bëri shenjë me gisht që të dilja, më vuri hekurat dhe më çoi në zyrën e Reshatit. Ashtu i shkurtër, i trashë dhe i kuq në fytyrë, siç jua kam përshkruar, filloi me insistim të më kërkojë të tregoj për babanë, për të tjerët dhe për vete. Iu drejtova me shoku Reshat. Me tha se nuk isha shoku i tij, se isha armik.
Ky individ dhe shokët e tij, që zotin nuk e besonin, që zotërinjtë e vërtetë të këtij vendi i kishin vrarë, burgosur o internuar, kërkonte ta quaja zotëri. Për babanë nuk dija që të kishte bërë veprimtari armiqësore. Të tjerët, nuk i mora vesh asnjëherë se kush ishin. Kurse përsa më përket mua, e kisha të qartë, se nuk kisha bërë asgjë të paligjshme. Pasi nuk mori përgjigjet që priste, urdhëroi policinë, të më kthente në birucë.
I tregova shokut të qelisë, për hetuesinë time të parë. Më pas rashë në heshtje, duke menduar për pyetjet absurde, të bëra. Për pyetjet që nuk kishin asnjë përgjigje. Erdhi nata dhe ramë për të fjetur. Kur u shtriva, ndjeva një nga dërrasat e dyshemesë që më vrau në një nga veshkat. Atëherë u spostova dhe për fat, pjesa tjetër ishte më e rregullt.
Të nesërmen më morën në hetuesi në mëngjes dhe pasdite. Pyetjet ishin të njëjta. Të njëjta ishin dhe përgjigjet. Edhe në ditët që pasuan, hetuesia vazhdonte nga dy-tre herë në ditë. Kishte raste që më mbanin me orë të tëra. Në ato ditë, presioni ishte shumë i madh. Gjithë ato pyetje, kërcënime nga më të ndryshmet. Ambienti ku më kishin futur, ushqimi i keq që më jepnin. Mendoja se çfarë po na rezervohej për të ardhmen, mua dhe babait. Më shqetësonte shumë, edhe fati i keq i mamasë dhe motrës.
Në ditët në vijim, veç pyetjeve të përgjithshme në lidhje me Jugosllavinë dhe të tjerët, u shtua dhe kërkesa, se ku e kisha fshehur floririn. Reshati, i kuq nga natyra, skuqej edhe më shumë gjatë hetuesisë. Shpesh më afrohej, duke shtrembëruar sytë dhe fytyrën, që të dukej edhe më i llahtarshëm seç ishte, për të më frikësuar. Në një moment, pasi më dha disa shpulla të shpejta, më akuzoi se i nxirrja gjoksin.
Nuk kisha vënë re që kisha bërë këtë veprim. Për mua këto ishin momente të vështira. Megjithatë, m’u kujtuan fjalët e urta të popullit. “Armikut dhe erës, nxirri gjoksin”. Si duket kjo kishte shkaktuar tërbimin e shefit. Siguria që ndjeja tek vetja, gjatë hetuesisë, më bënte edhe më shumë kurajoz.
Ditën e premte, 22 tetor, ditën e ditëlindjes, dhurata e Sigurimit, ishte qethja zero e flokëve. Më kujtohet që flokët na i kishin qethur në këtë mënyrë për herë të fundit, në vjeshtën e vitit 1970. Edhe këtë herë të detyruar, kur bënim zborin në gjimnaz, në repartin ushtarak të Bilishtit. Më pas kur mbaruam zborin njëmujor, kujtoj hidhërimin e drejtorit të gjimnazit, i cili nuk kishte aprovuar këtë veprim, pasi tani shkolla i dukej si një kazermë.
Por ato ishin kohë të tjera. Gjatë hetuesisë, presionet e Reshatit, nuk kishin të mbaruar. Edhe tani, pas 47 vitesh, më kujtohen mjaft nga shprehjet e tij. Njësoj sikur të bisedonte me një kalama. Fliste, që unë (armiku) isha një dhe ata (diktatura) ishin shumë.
Fliste për forcën e Sigurimit, që të bënte të tregoje edhe qumështin e nënës, që kishe pirë. Se më parë ata e ndiqnin lepurin (nënkuptonte armikun) me qerre, kurse tani lepuri, hynte vetë në qerre. Se atë që ta bënte qeveria, nuk ta bënte as perëndia. Për këtë të fundit, kishte të drejtë.
Këto krahasime të tij nuk kishin të mbaruar. Një ditë në hetuesi, asistoi edhe një prokurore. Flora quhej. Filluan një bashkëbisedim ndërmjet tyre, duke më lënë të kuptoja se më priste 80 lekëshi. Në atë kohë, aq ishte vlera e një plumbi. Pas dy javë hetuesie me shefin, më mori në hetim, Irakli Koçollari.
Që në fillim, ai u përpoq të tregohej i sigurt, si një punonjës i Sigurimit, që e njihte mirë zanatin e tij dhe që do të më bënte që unë, të pranoja të gjitha akuzat. Gjatë hetuesisë së tij, më takonte jo vetëm ditën, por sidomos natën. Pas orës 23.00. Disa herë edhe pas mesit të natës, kur nuk kishte as polic shërbimi. Vinte vetë të më merrte e, të më kthente në birucë. Nuk e dija në i mungonte gjumi, apo donte të ma bënte edhe më të vështirë, ekzistencën.
Edhe Koçollari, vazhdoi t’i bjerë fyellit, po në vrimën që i binte Reshati. Siç duket vetëm atë vrimë kishin mësuar. Hetuesinë ma bënte në dhomën e tij të gjumit, aty ku më kishte komunikuar arrestin. Vazhdonte akuzat, për lidhje me jugosllavët dhe për veprimtarinë armiqësore, që kisha bërë. Gjatë gjithë periudhës së hetuesisë, më kanë mbajtur gjithmonë në këmbë. Por, tek Irakliu, isha i privilegjuar, sepse më mbante gjithmonë të lidhur.
Veç kësaj, pati raste që vinte erë alkool, dhe kur filloi të humbasë sigurinë, u bë edhe gojëprishur. Si një rrugaç. Edukata e tij në dukje, “si njeri me shkollë”, kishte mbetur një vizion i largët. Kishte dalë në dritë natyra e vërtetë e tij. Nata në birucë kalohej me gjumë, (në qoftë se do t’i vemë një emër), kurse gjatë ditës me Josifin, tregonim filma e romane, që njëri ose tjetri nuk i dinte. Më pas luanim me tituj filmash.
Ai kishte qenë, që në fëmijëri, shumë i dhënë pas kinemasë. Veç kësaj, kishim marrë një copë të vogël sapuni, me të cilin në një nga batanijet e errëta, bënim vizat e një loje, ku si gurë, përdornim copa të vogla buke. Gjithë kjo më ndihmonte, që truri të qetësohej nga presioni i vazhdueshëm i hetuesisë.
Një mëngjes në birucë na sjellin një djalë të ri, të veshur ushtar. Emrin e kishte Maqo. Bënte ushtrinë në Bilisht dhe shtëpinë e kishte afër repartit. Ai shkonte shpesh natën, pa lejë, të flinte në shtëpi dhe në mëngjes kthehej në kazermë. Atë mëngjes e kishin kapur. Josifi e qetësoi duke i thënë, që për ato pak orë që kishte munguar, do ta falnin. Pasdite e morën në hetuesi, por kur u kthye, Maqo ishte shumë i shqetësuar. Bëhej fjalë për një oficer reparti. E lamë të qetë në hallin e tij.
Ditën tjetër e morën prapë dhe kur u kthye u mbyt në lot. Isha në një moshë 2-3 vite më i madh, kisha një akuzë shumë më të madhe për të përballuar, megjithatë kjo nuk më pengoi, që t’i jepja kurajo. Pasi u qetësua pak, na tregoi se shefi i Sigurimit të Korpusit, i kërkonte që të denonconte Nikon, një oficer me të cilin, Maqo shoqërohej. Ata donin ta dënonin këtë oficer të ri, për agjitacion e propagandë. Niko kishte një gjysh në Amerikë, i cili i kishte dërguar të nipit një radio dore. Këtë radio, ai e kishte marrë në repart.
E kishin pyetur se çfarë muzike dëgjonte Niko dhe çfarë biseda bënte me të. Maqo i qe përgjigjur: “Nuk di të ketë bërë ndonjë të keqe, me të shoqërohem për të përfituar ndonjë lejë”! Atëherë shefi i Sigurimit të Korpusit, i kishte dhënë një shpullë dhe e kishte kërcënuar se do ta dënonte me maksimumin e dënimit, për largimin pa lejë.
Në këtë kohë në zyrë kishte hyrë një oficer i moshuar (zv/shefi i Sigurimit të Korpusit.) i cili pasi përcolli shefin e tij, i kishte folur me shumë dashamirësi. (Loja e policit të mirë dhe atij të keq).
– “Edhe unë kam një djalë, në të njëjtën moshë. Ty të kam si djalin tim dhe më vjen keq që të dënohesh. Prandaj bën mirë të tregosh mbi bisedat që bën Niko për muzikën e huaj dhe për jetën jashtë. Deri nesër, do të të mbroj”.
Këto i kish thënë ai “i miri“. – “Por kur të vish, duhet të m’i thuash të gjitha dhe unë do të liroj. Përndryshe do të kalosh në dorën e hetuesisë”. Me këto fjalë kishte mbyllur bisedën oficeri i Sigurimit. Memorie.al