Nga Red VARAKU
Prokuroria shqiptare nuk zhgënjeu askënd me vendimin e saj për të çuar para drejtësisë disa ‘peshq të vegjël’, të cilët nuk kanë thuajse asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar në Durrës. Në fakt e vetmja përgjegjësi që ata kanë, është se kanë zbatuar me verbëri urdhërat e Vangjushit, që më pas kanë sjellë këtë katastrofë. Ky vendim i prokurorisë vërtetoi plotësisht pretendimet e Presidentit dhe Opozitës, që reforma në drejtësi është thjesht një ramaformë. Sepse, çdo qytetar i Durrësit e di shumë mirë, që njeriu që e shkaterroi këtë qytet nga të gjitha pikëpamjet është vetëm një njeri, Vangjush Dako.
Ai nuk shkatërroi vetëm infrastrukturën e qytetit të dytë më të madh të Shqipërisë me babëzinë e tij të betonit, por me paaftësinë e tij ai varrosi barbarisht historinë e një ndër qyteteve më të lashta. Ai njëkohësisht poshtëroi edhe qytetarët e nderuar durrsakë me lidhjet e tij me krimin e organizuar, të cilat u konfirmuan edhe nga gazeta gjermane BILD.
Pra, nëse ka përgjegjës për tragjedinë e këtij qyteti, ndërtesat e të cilit u shkërmoqën si ndërtesa prej rëre, sigurisht që nuk janë ata ‘bishtat e kavallit’ për të cilët prokuroria ka nxjerrë urdhër-arrestet. Por, është Vangjush Dako, ish-kryetari i bashkisë së Durrësit për gati 12 vjet, numri dy i Partisë Socialiste, krahu i djathtë i kryeministrit Rama, përgjegjësi kryesor i egzekutimit të skemës së vjedhjes së votave, i akuzuar drejtpërdrejtë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit ,si i korruptuar dhe i përfshirë në akte që shkelin të drejtat e njeriut. Por, në vend që të ndëshkohet për këtë krim që shkaktoi jo vetëm humbje materiale por edhe viktima, Edi Rama e rikthen në skenë si njeriun më të plotfuqishëm të Durrësit.
Por, pse nuk e arreston dot ky kryeministër Vangjush Dakon?
Së pari, sepse për të njëjtat arsye që do t’i duhet të arrestojë Gjushin, duhet të arrestojë edhe veten, si arkitekti i shkatërrimit të Tiranës, me rrumpallën që ka krijuar në Tiranë ku janë me qindra ndërtesat që janë të pabanueshme, por për këtë qëllimisht nuk flet askush. Për të njëjtat arsye duhet të arrestojë edhe veten si përgjegjës direkt për vdjekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët ai si kryeministër nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit.
Së dyti, ai nuk e arreston dot Dakon, sepse Dako është shtylla që e mban në pushtet Ramën. Nëse bie Dako, bie menjëherë qeveria! Nëse bie qeveria, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, partia socialiste, del menjëherë në opozitë. Pra, arsyeja e vërtetë e ‘mosdorëzimit’ të Vangjushit është thjesht frika nga humbja e pushtetit.
Sepse, pushteti është sot e vetmja garanci për të. Ai e ka të qartë që pa pushtet ai është thjesht askushi. Më shumë se askush tjetër, ai e ka të qartë, që nëse një ditë qentë përreth tij do të mbeten pa ushqyer, të gjithë do t’i turren për ta shqyer. Me mbrojtjen që po i jep Dakos, ai jo vetëm e mban të unifikuar kopenë e babëzitur për plaçkë, por njëkohësisht edhe e dominon atë.
Së treti, drejtësia e re që ka ndërtuar Rama nuk është një drejtësi që rrezikon aq shumë qytetarët, se sa rrezikon vetë atë. Ata ushtarë dhe hajdutë të pacipë me të cilët ka mbushur radhët e gjyqësorit sot, dhe që ne i shikojmë sot si kamikazë të Ramës, janë po aq të pafytyrë të nesërmen e ditës që Rama rrëzohet nga pushteti. Ata janë hajdutë gjobvënës dhe Edi Rama e di që nëse bie nga pushteti ata janë të parët që mund t’i hedhin hekurat dhe për akuza shumë më të vogla se sa këto që mund t’i ngrihen sot.
Ndërkohë, ka dyshime të arsyeshme që Vangjushi zotëron prova të forta që implikojnë Ramën, jo vetëm në krim elektoral. Si pasojë Rama i ka duart e lidhura në raport me Vangjushin, prandaj ka zgjedhur të mos hetojë dhe të heshtë. Sepse një arrestim i mundshëm i Vangjushit, jo vetëm do të rrëzonte qeverinë, por mund të çonte edhe në arrestimin e vetë Ramës.
Frika e tij nga humbja e pushtetit i është kthyer në makth, që nuk e ndal para asgjëje. Ndaj nuk ikën edhe përballë dështimeve me spektakolare, siç bënë fjala vjen homologët e tij Zaev apo Tsipras pak më herët. Ky njeri është thjesht një peng i spirales së krimit në të cilën e ka zhytur pushteti i tij.
Fshehja e përgjegjësisë dhe mbulimi i krimit është arsyeja kryesore se pse menjëherë pas katastrofës, ai filloi cirkun mbi gërmadha. Është e qartë që axhenda e kësaj qeverie nuk ka asnjë lidhje me hallin e viktimave të kësaj katastrofe. Ajo nuk është në axhendë politike e socialistëve, por është një axhendë tërësisht personale e këtij kryeministri dhe bandës së tij.
Ndaj, ky kryeministër duhet të largohet menjëherë. Ai nuk mund të jetë kryeministri të cilit mund t’i lihet përgjegjësia e rindërtimit, sepse është një kryeministër i provuar si i korruptuar dhe i kapur në krim. ‘Ri-emërimi’ i Vangjushit në krye të bashkisë së Durrësit dhe emërimi i Arben Ahmetajt si ministër rindërtimi, janë dy prova të qarta, që vërtetojnë akuzat e Opozitës, se kësaj bande jo vetëm që nuk duan t’ia dinë për viktimat e kësaj tragjedie, por ai bashkë me çakejtë e tij kanë mprehur dhëmbët për tu ringjallur me gjakun e viktimave të kësaj katastrofe.