Ku është Mesi?

Shtypi botëror ka ngacmuar Barcelonën dhe ka ngritur në qiell Atleticon pas ndeshjes që përfundoi me rezultatin 2-0 për bardhekuqtë dhe rrjedhimisht pas eliminimit të katalanasve. “Ku ishte Mesi”? “Nuk kemi lajme nga Leo Mesi”, thotë “Daily Mail”, që shton se as argjentinasi dhe as Neymari nuk janë më ata që kanë qenë para pushimit të kombëtareve.
Ndërkohë, “La Gazzetta dello Sport” thotë se ishte “një mbrëmje e hidhur për Mesin dhe shokët e tij”.
“L’ Equipe” i Francës nënvizon se sërish është Atletico Madrid skuadra që eliminon Barcelonën nga Champions League, ndërsa Griezmann është lideri i saj.
Argjentinasja “Ole” thotë se, bëhet fjalë për një triumf të madh të Atletico Madrid. Po Mesi? Nuk diti, nuk mundi dhe nuk gjeti mënyrën për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarit.
Ndërsa katalanasja “Sport” mendon se arbitri dhe Griezmann e eliminuan Barcelonën: “Atletico, i nxitur nga tifozeria, dukej se do e hante Barcelonën. Në fund, skandali! Rizzoli nuk dha një penallti të pastër për katalanasit”.
Atletiko e Madridit arriti të eliminojë blaugranat pas një ndeshjeje të luajtur me shumë zemër në “Vicente Calderon”, të cilin ekipi i Simeones e fitoi 2-0, duke i hequr lojën dhe idetë Barcës. Griezzman ishte heroi i Atletikos me një dygolësh, njërin prej të cilëve nga pika e bardhë, ndërsa nuk munguan dhe polemikat në fund, pas një topi të prekur me dorë nga Gabi në të 90-ën, të cilën Rizzoli e cilësoi si jashtë zone. Gjithsesi ishte një kualifikim i merituar për Atleticon, që goditi Barcelonën, atëherë kur duhej me francezin që shënoi golin e parë në të 36-ën.
Barca që deri në ato çaste nuk kishte prodhuar asgjë, nuk pati reagimin e duhur dhe Atletico në të 88-ën, shfrytëzoi sërish një zbritje për të fituar një 11-metërsh pas topit të prekur me dorë nga Iniesta. U mbyll gjithçka me polemikat e Barcës me Rizzolin dhe goditjen jashtë të Mesit, me kampionët që u eliminuan e festën që ishte e tëra për Atletikon. Bajerni i Mynihut vuajti vetëm 38 minuta në “Da Luz” për të arritur gjysmëfinalen, pasi vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të Jimenezit në të 27-ën, duke ndezur tifozerinë e tyre, por Vidal ashtu si në ndeshjen e parë shuajti shpresat e portugezëve me golin e tij. Vulën e kualifikimit ia vuri Muller me golin e 1-2 në të 52-ën, ndërsa barazimi i Taliscas në të 76-ën nuk ndryshoi përveç shifrave përfundimtare, pasi kualifikimi i Bajernit ishte vulosur tashmë.
Gabi u tregua i sinqertë për rastin e 11-metërshit që kërkuan lojtarët e ekipit katalanas në fundin e takimit, ku vetë mesfushori preku topin me dorë në zonë. “Po, e ndalova topin me dorë. Arbitri e dha faull, unë isha në vijën e zonës, por nuk e di nëse e ndalova topin jashtë apo brenda saj. Arbitrat ka raste që të favorizojnë dhe ka raste që jo. Gjithsesi, nuk duhet të merremi me këtë episod, pasi e merituam kualifikimin”, tha kapiteni i skuadrës së drejtuar nga Simeone.

Exit mobile version